Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ditën e sotme (16 shtator) do të zhvillojë takimin e parë me bazën lidhur me vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.
Zoti Berisha njoftoi dje me anë të një postimi në Facebook se “ditën e sotme në orën 18:00 nis ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.”
Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratët që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në të gjithë vendin.
Anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ditën e djeshme (15 shtator) kërkuan referendum për vendimin e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi Parlamentar.
30 nga 40 anëtarët e kryesisë së FRPD-së mes të cilëve edhe Glauk Olldashi i dorëzuan zyrtarisht kërkesën Gazment Bardhit, duke e cilësuar si veprim personal të Lulzim Bashës.
