Sa pare u mblodhën për të prekurit nga Down-sindrom

TË FUNDIT

Shoqata “Down Syndrome Kosova” dhe shoqata “Autizmi”, njoftuan sot se gjatë mbrëmjeve të organizuara kanë arritur të grumbullojnë rreth 200 mijë euro, me kontributin e qytetarëve të Kosovës dhe të diasporës, përfaqësuesve të institucioneve dhe bizneseve, për ndërtimin e një qendre.

Drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, sqaroi se duke marrë parasysh nevojën për shërbimet që kanë fëmijët e prekur me sindromën Down dhe Autizëm, si dhe duke parë mungesën e stafit profesional, morën iniciativën për ndërtimin e qendrës.“Në kuadër të mbrëmjes të organizuar nga Down Syndrome Kosova, vlera e mjeteve të grumbulluar deri më sot, është 60 mijë e 480 euro. Në kuadër të këtij projekti janë ofruar edhe shërbime dhe materialeve ndërtimore, e po ashtu janë ofruar edhe shërbime shëndetësore. Ndërsa ftojë të gjithë ata që premtuan donacione e që ende nuk i kanë realizuar, t`i ekzekutojnë në llogari të Shoqatës ‘Down Syndrome Kosova’ dhe shoqatës ‘Autizmi’”,ka thënë drejtoresha e shoqatës DSK, Sebahate Hajdini-Beqiri.

Ndërsa drejtori i shoqatës “Autizmi”, Cenë Krasniqi, tha se organizimi i këtyre dy mbrëmjeve është vetëm fillimi i realizimit të nevojave të këtyre komuniteteve.“Në mbrëmjen e organizuar nga shoqata Autizmi, janë premtuar 228 mijë euro, kurse të realizuara deri më tani janë rreth 170 mijë euro. Duhet të potencohet kontributi i madh i z.Rexhë Xhakli, i cili dha donacion 150 mijë e të cilat i ka deponuar. Por për tu vlerësuar është edhe donacioni i kolegjit ‘Mehmet Akif’, të mbledhura nga vet nxënësit”, ka thënë Krasniqi.

Javën e ardhshme, dy shoqatat do të takohen me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të diskutuar rreth parcelës së premtuar nga Komuna e Prishtinës./ 21MEDIA