Sa para evropiane do të humbë Maqedonia?! Sali: Nuk mbetemi prapa, por ka ligje që nuk do t’i përmbushim

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri dhe ministri për eurointegrime Bekim Sali konsideron se paralajmërimet e eurokomisioneres Marta Kos dhe të eurodeputetit Tomas Vajc se Maqedonia do të humbasë rreth 50 milionë euro për shkak se nuk janë përmbushur obligimet nga agjenda reformuese janë parandaluese me qëllim përshpejtimin e reformave. Sali konsideron se Maqedonia nuk po mbetet prapa në përmbushjen e këtyre kërkesave dhe thotë se nga 10, për 6 prej tyre janë drejt përfundimit. Megjithatë, një nga ato që duket se nuk do të miratohet është Kodi Zgjedhor, për të cilin Sali tha se është ligj specifik.

“Presim që në qershor të përmbushim nga 10 pikat të cilat janë vërtet kritike dhe të gjera, duhet të pranojmë se janë shumë specifike dhe jo rastësisht kanë mbetur ashtu. Një nga pikat specifike është për shembull Kodi Zgjedhor i cili kërkon konsensus më të madh, më të gjerë, nuk mund ta bëjmë këtë brenda ditës si Kod Zgjedhor vetëm për të përmbushur një hap sepse shumat që i përmendim janë rreth 4 deri në 8 milionë euro për çdo hap”, deklaroi Bekim Sali – zëvendëskryeministër dhe ministër për Eurointegrime.

Euroambasadori Mihalis Rokas konfirmoi se është e nevojshme të përmbushen 10 pika deri në qershor, për të cilat tha se po punohet. Ai nuk deshi të parashikojë sa prej tyre do të arrijnë të përfundojnë.

“Ka dhjetë hapa që duhet të përfundojnë deri në qershor, që është periudhë grej për atë që duhej të ishte përmbushur deri në qershor të vitit të kaluar. Kështu funksionon sistemi i agjendës reformuese dhe nëse afati skadon dhe ato nuk përmbushen, paratë humben. Po punohet shumë, nuk mund të parashikoj, do të duhet të presim deri në fund të qershorit për të parë”, potencoi ambasadori i BE-së, Mihails Rokas.

Maqedonia kishte afat për përmbushjen e agjendës reformuese deri në qershor 2025, por i është dhënë një periudhë gri edhe një vit. Kjo periudhë përfundon në qershor, pas së cilës do të dihet sa Maqedonia do të përmbushë nga agjenda reformuese e Planit për rritje të Bashkimit Evropian, dhe me këtë edhe sa para do të humbasë për shkak të mos përmbushjes së tyre.