Emri, mbiemri, fotografia, numri amë. Më shumë se një milion qytetarë të Maqedonisë u gjendën në ueb faqen ruse, ku thuhet se të dhënat janë siguruar nga harkimi i bazës nga sajti “izbirackispisok.gov.mk“.
Çmimi i shitjes së të dhënave personale nuk është cekur, por në sajtin rus qëndron se blerësit e interesuar mund të kontaktojnë hakerin në porosi private. Nga KSHZ-ja mohojnë se është hakuar ndonjë e dhëne nga Lista Zgjedhore apo se ndonjë e dhënë është marrë nga data baza e tyre.
“Ky informacion është në nivel të spekulimit dhe Kryetari tha se para disa ditëve ne i kemi ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për mbrojtjen e të gjitha elementeve që janë në faqen tonë të internetit, si dhe vetë Listën zgjedhore, përkatësisht platformën në të cilën janë të dhënat e votuesve”, deklaroi Ljupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk e konfirmuan e as nuk e demantuan këtë informacion. TV21 në tre ditët e fundit ka dërguar dy kërkesa për informacione në lidhje me atë se a është ngritur ndonjë hetim në lidhje me shitjen e të dhënave personale në internet? Megjithatë, deri tani nuk kemi marrë përgjigje.
Për njohësit e kësaj çështjeje si dhe të mbrojtjes nga sulmet hibride, thonë se duhet të kihet kujdes se ku vendosen të dhënat personale. Sajti rus i cili e ofronte bazën e të dhënave, për momentin nuk funksionon, ndërsa për herë të fundit ishte aktiv të dielën.
“Ekzistojnë probleme, rreziqe, megjithatë në të njëjtën kohë ekzistojnë edhe shumë kompani, institucione, që luftojnë për mbrojtjen e privatësisë sonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se në hapësirat e internetit ne lëmë gjurmë tona. Të gjithë organet kompetente duhet të na mbrojnë, por para se gjithash ne vetë duhet të jemi të vetëdijshëm çfarë bëjmë”, theksoi Bojan Kordallovski, Specialist i Komunikimit.
A është e vërtetë dhe kush disponon për momentin me të dhëna personale të më shumë se një milion qytetarëve, ende mbetet enigmë. Lista Zgjedhore ende është e aksesueshme në faqen e internetit, ndërsa kërkimi mund të bëhet me numër amë, emër dhe mbiemër, apo adresë. Një nga kompetencat e KSHZ-së, që është publikuar në ueb faqen e tyre është të mbajë evidencë mbi të drejtën e votës dhe kujdeset për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve që janë pjesë e Listës Zgjedhore.
Mbikëqyrja inspektuese e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në vitin 2018, ka konstatuar se mbrojtje më të dobët të të dhënave personale kanë gjykatat dhe prokuroritë.
Përgatiti: Jovica Paunoski
