Metodologjia e re për harmonizim të pensioneve dy herë në vit dhe pagesë nga 1000 denarë për tre muaj, është marrëveshja të cilën e arritën përfaqësuesit e pensionistëve me Qeverinë.
Kjo do të thotë se rritja mesatare e pensioneve për këtë vit do të jetë rreth 900 denarë, kurse për muajt prill, maj dhe qershor pensionistët do të marrin ndihmë financiare prej 1000 denarëve. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se me këtë marrëveshje do t’u dilet në ndihmë 330 mijë pensionistëve në kohë krize ekonomike dhe energjetike.
“Do të vendosim një metodologji të re për rritjen e pensioneve, e cila do të bëhet mbi bazë të të ashtuquajturës “formulë zvicerane”, gjegjësisht 50% e rritjes së kostos së jetesës dhe 50% e rritjes së pagës mesatare. Gjithashtu u pajtuam që Qeveria të japë ndihmë financiare prej 1.000 denarëve për të gjithë pensionistët për tre muaj, prill, maj dhe qershor, mjete këto të cilat do të ndihmojë në rritjen e buxhetit të pensionistëve”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por, a do ta durojë këtë barrë Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor? Ministri i Financave, Fatmir Besimi siguron se nuk ka rrezik sa i përket qëndrueshmërisë së fondit.
“Këto mjete janë paraparë para rebalancit dhe do të realizohen, pjesërisht nga Fondi Pensional ku ka mjete të mjaftueshme në këtë periudhë. Likuiditeti sa i takon pagesës së pensioneve, pa marrë parasysh krizën ekonomike dhe energjetike, në asnjë rast nuk do të vihet në pikëpyetje”, tha Besimi.
Ndryshe, me futjen e kësaj metodologjie, harmonizimi i pensioneve lidhet me rritjen e shpenzimeve për jetesë dhe rrogën mesatare, kurse në të ardhmen nuk do të varet nëse ndonjë Qeveri do të sjellë vendim për rritjen e tyre. Kryetarja e Lidhjes së Organizatave të Pensionistëve, Stanka Todorova thotë se janë të kënaqur me këtë zgjidhje.
“Harmonizimi i pensioneve si zgjidhje afatgjate sistematike do të zbatohet dhe nuk do ta varet nga ndonjë akt i Qeverisë. Me këtë ofrohet siguri ligjore për pensionistët”, tha Todorova.
Nga partia opozitare, VMRO-DPMNE pohojnë se ata e kanë sjellë këtë metodë, kurse tani pushteti lëvdohet me zgjidhjen e tyre.
“Atë që ua vodhën pensionistëve dhe për të cilën ne folëm para 3 viteve, tani ata po tentojnë ta rregullojnë duke e prezantuar sikur të jetë ndonjë model inovativ zviceran. Në fakt, bëhet fjalë për një ligj qysh para vitit 2018, 21 dhjetor, të cilin e solli kjo Qeveri e korruptuar dhe kriminale, duke i ulur pensionet për pensionistët. Tani po tenton me disa truqe të shpjegojnë se si duket modeli zviceran, por këtu nuk ka asgjë zvicerane”, vlerëson Mickoski.
Paraprakisht, Qeveria solli vendim që rroga minimale të rritet në 18.000 denarë. Por, pas kësaj reagoi Sindikata e të punësuarve në administratë, duke u ankuar se në qoftë se nuk rriten edhe rrogat e tyre, të ardhurat e tyre mujore do të jenë pak më të larta se paga minimale. Nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, paralajmëruan se do të organizojnë protesta dhe do ta bllokojnë punën e disa institucioneve.
