Rutte: Trump është i zhgënjyer me vendet anëtare të NATO-s

TË FUNDIT

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump është “qartësisht i zhgënjyer” me disa vende anëtare të aleancës transatlantike, gjatë takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, raportoi DPA.

Në një intervistë për CNN, Rutte i përshkroi bisedimet si një diskutim i hapur mes “dy miqve të mirë”, por nuk zbuloi nëse është diskutuar për një tërheqje të mundshme të SHBA-ve nga NATO.

Ndërkohë, Trump në platformën e tij Truth Social shkroi: “NATO NUK ISHTE ATJE KUR NA DUHEJ, DHE NUK DO TË JETË ATJE NËSE NA DUHET SËRISH”.

Presidenti amerikan shtoi se aleatët duhet të kujtojnë Greenland, të cilin e përshkroi si “NJË PJESË E MADHE AKULLI, E KEQMENAXHUAR”.

Pasi më herët gjatë këtij viti Trump kërcënoi sërish me një aneksim të mundshëm të Greenlandit, një territor danez me rëndësi strategjike, marrëdhëniet mes Evropës dhe SHBA-ve janë tensionuar, kujton DPA.

Në ditët e fundit, komentet e Trump kanë shkaktuar shqetësim për një dalje të mundshme të SHBA-ve nga NATO, për shkak të kritikave të tij ndaj asaj që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme nga partnerët e Aleancës për konfliktin në Iran.

Çdo tërheqje do të kërkonte një shumicë prej dy të tretash në Senatin e SHBA-ve, gjë që konsiderohet shumë pak e mundshme.

Rutte gjithashtu zbuti kritikat nga partnerët e Aleancës për veprimet e Trump ndaj Iranit, duke thënë se mes aleatëve nuk mbizotëron mendimi se konflikti është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

Në fund, Rutte theksoi për CNN se NATO vazhdimisht mban qëndrimin se për stabilitetin është thelbësore dobësimi i kapaciteteve bërthamore dhe programit të raketave balistike të Iranit, raporton DPA.