RUSKOSKA ZBULON, FUNKSIONAR AKTUAL NËN HETIM PËR KRIM EKONOMIK DHE KORRUPSION

TË FUNDIT

Shefja e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska deklaroi se për momentin po zhvillohen procedura para hetimore dhe hetimore  për disa funksionarë të caktuar aktual  duke shtuar se lëndët janë për krim ekonomik dhe korrupsion. Ruskovska nuk zbuloi më shumë detaje duke thënë se hetimet për momentin janë sekret.

A po udhëhiqet ndonjë hetim tjetër për veç asaj me fondet IPA, pra mbi funksionar aktual të qeverisë ?

“Sa i përket pyetjes tuaj, po, në vazhdim janë procedura para hetimore dhe hetimore për disa funksionar të caktuar por tani për tani vetëm kaq mund të them. Procedura për krim ekonomik dhe korrupsion”, deklaroi  Vilma Ruskovska, kryeprokurore kundër krimit të organizuar.

Për rastin me sekretarin shtetëror të administatës, Jahi Jahiu dhe arrestimin e tij, Ruskovska deklaroi se bastisjet e kryera në Itali, kanë gjetur dëshmi që do të shërbejnë në procedurat që udhëhiqen kundër shtetasve tanë. Jahiut i është përcaktuar paraburgim 30 ditorë. Pas dy muajsh hetim të autoriteteve tona hetuese dhe atyre ndërkombëtare, ekziston dyshimi se Jahiu dhe një koleg nga ministria kanë marrë ryshfet. Përkatësisht, kanë mundësuar që një kompani nga Italia të marrë pozitë më të mirë në procedurën e tenderit dhe për të marrë mbi një milion euro para evropiane për zbatimin e një projekti për trajnimin e administratës, të financuar nga BE-ja përmes fondeve IPA. Përveç bastisjeve në Maqedoninë së Veriut bastisje janë bërë edhe në Republikën e Italisë, edhe atë tek 8 persona juridik.

Federiko Kafeiro De Raho,  prokuror publik për ndjekje të mafias dhe terrorizmit në Itali, i cili po qëndron përë vizitë zyrtare në vend, u pyet edhe për lëndën “Shkupi 2014”, por ai tha se nuk ka njohuri nëse shkritorja në të cilën janë bërë përmendoret është nën hetim.

“Duhet të theksohet se të gjitha hetimet janë sekrete, deri në momentin kur do të kërkohet paraburgim apo konfiskim të pasurisë. Nëse shpalosi detaje, unë do të bëj vepër penale”, u shpreh Federico Cafeiro de Raho, prokuror publik për ndjekje të mafisë dhe terrorizmit.

Federiko Kafeiro de Raho ka kryer hetime gjyqësore kundër klanit Casalesi, një organizatë kriminele italiane, njëra nga më të fuqishmet në trafikun me lëndë narkotike në mbarë botën me rreth 8000-9000 anëtarë. De Raho në këtë lëndë ka udhëhequr hetime kundër bandës e cila rezultoi me gjyqin e famshëm Spartacus ku u dënuan me qindra burra.

Vizita e tij në Maqedoninë e Veriut u realizua për shkak të një nënshkrimit të një memorandum për shpërbërjen e krimit të organizuar dhe bashkëpunim në mes prokurorisë italiane dhe prokurorisë maqedonase.

Përgatiti: Valmira Zendeli