Ruskoska për TV21: Kam dërguar vërejtje tek DPMNE-ja për spotin, para se të dorëzohet padi penale për shpifje

TË FUNDIT

Kryeprokurorja për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska, ka dërguar vërejtje deri tek partia VMRO-DPMNE për shkak se fotografia e saj, si dhe e një gjykatëseje, shihen në një spot zgjedhor të partiës opozitare.

“Bëhet fjalë për vërejtje para se të dorëzohet padi penale për shpifje. Sipas ligjit, patjetër fillimisht duhet të dërgohet vërejtje, para se të ngitet padi. Nuk e kam të qartë, sipas meje është e papranueshme, një prokuror, po tani edhe një gjykatës të nxirren në fushatë parazgjedhore politike. Asnjëherë nuk kam qenë anëtare e asnjë partie politike, gjë që mund të vërtetohet lehtë. Jam prokurorja e vetme që që nga pavarësia e deri më tani, ka dorëzuar aktakuzë për nënkryetar të Kuvendit, nga partia e atëhershme në pushtet. E pse më përmendin në spote me të vërtetë nuk e kam të qartë, vlerësoj se është e palejueshme” tha Ruskoska për TV21.

Tani prokurorja kërkon që VMRO-DPMNE-ja t’i kërkojë falje dhe ta tërheq reklamën nga transmetimi, e nëse kjo nuk ndodh, do të pasojë padia penale.

Ruskoska shtoi se pret që të reagojë edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale për spotet e këtilla të plasuara nga partia opozitare DPMNE./TV21