Mbrëmë prokurorja, Villma Ruskoska, i ka dërguar SMS porosi njërit nga anëtarët e Këshillit penal të Gjykatës së Apelit – Shkup, i cili ka marrë pjesë në procesin e ankimimit të Katica Janevës për shfuqizimin e masës së paraburgimit dhe shqiptimin e arrestit shtëpiak, raporton TV21.
Gjykata e apelit e zbuloi edhe përmbajtjen e SMS porosisë, në të cilën shkruhet:
“Nëse ti me Këshillin e keni lëshuar Katicën, ta dish që do të ju shkund nga brekët gjithë Këshillin me hetim financiar. Për shkak të gjykatësve si ju, nuk do të hymë asnjëherë në BE. Nëse nuk është këshilli yt, kërkoj falje. Por, nëse jeni ju, do ta shihni”.
Gjykata e Apelit Shkup për SMS porosinë e Ruskoskës thonë se kjo paraqet kërcënim direkt dhe ndërhyrje në punën e gjykatës ku Prokuroria publike është vetëm palë në këtë procedurë.
Nga kjo gjykatë dërguan kumtesë në të cilën thuhet :
Veprimi i tillë i një prokurori publik paraqet precedent në sistemin gjyqësor, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë prishet renomeja e gjykatës si dhe parimet e definimit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe bindja e lirë gjyqësore gjatë sjelljes së aktvendimeve, që në çdo rast paraqet shkelje e Kushtetutës, Ligjeve dhe Kodeksit etik të Prokurorëve Publik.
Nga Gjykata e Apelit thonë se për këtë SMS porosi i kanë lajmëruar institucionet kompetente, përkatësisht MPB-në./TV21
