Ruskoska: Lënda për Koçanin, katastrofë në aspektin juridik! Ky proces do të dështojë

TË FUNDIT

Ish-prokurorja Vilma Ruskoska, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Studion e natës” në 4TV, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ekipit të prokurorëve në rastin “Puls”, përcjell TV21. Me 33 të akuzuar dhe qindra dëshmitarë, Ruskoska vlerëson se procesi është ndërtuar mbi baza të brishta dhe po shkon drejt joefikasitetit. Sipas saj, problemi kryesor në këtë rast është përpjekja që të gjithë të akuzuarit të futen nën të njëjtën kualifikim juridik, gjë që ajo e konsideron të paqëndrueshme dhe që çon në zvarritje të procedurës.

“Ky kualifikim juridik është i gabuar. Është katastrofë t’i ngarkosh të gjithë të akuzuarit me të njëjtën vepër penale. Është veçanërisht jologjike që një ministër nga viti 2012 të mbajë përgjegjësi për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme në një rast që ka ndodhur 12 apo 13 vite më vonë. Nëse ai ka bërë shkelje atëherë, duhej të ndiqej në një rast të veçantë”, deklaroi ajo.

Ruskoska shprehu gjithashtu shqetësim për numrin e madh të dëshmitarëve të propozuar, duke theksuar se në sistemin gjyqësor shpesh favorizohet sasia mbi cilësinë e provave.

“Nuk ka kuptim që 10 apo 15 persona të tregojnë të njëjtën histori në sallën e gjyqit, nëse e kanë bërë këtë tashmë gjatë hetimeve. Kjo vetëm humb kohën e gjykatës dhe të të dëmtuarve”, u shpreh Ruskoska në 4News.

Ajo rikujtoi se në rastin më të madh që ka trajtuar vetë, pavarësisht numrit të madh të të lënduarve dhe dëshmitarëve, në aktakuzë janë përfshirë vetëm ata më të domosdoshmit, me qëllim që procesi të jetë më i shpejtë dhe efikas.

Ish-prokurorja zbuloi se një nga prindërit e viktimave i kishte dërguar aktakuzën për mendim profesional. Sipas saj, me këtë mënyrë organizimi të rastit, drejtësia mbetet e largët.

“Kam frikë se prindërit, të cilët tashmë janë në moshë të shtyrë, nuk do të arrijnë të shohin drejtësi të vërtetë. Ky proces me kaq shumë dëshmitarë do të zgjasë me vite dhe vendimi përfundimtar mund të jetë vetëm një dhimbje e re për ta”, paralajmëroi Ruskoska.

Në pyetjen nëse prokurorët mund të përdornin nenin 353 për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ajo përmendi ndryshimet e fundit në Kodin Penal, duke sugjeruar se edhe në rast se provohet faji, shumë nga veprimet që u ngarkohen të akuzuarve në “Puls” mund të vjetërsohen, duke bërë që rasti të përfundojë pa një epilog thelbësor.