Rusia pezullohet nga Organizata Botërore e Turizmit

TË FUNDIT

Federata Ruse është suspenduar nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), duke humbur menjëherë të drejtat dhe privilegjet e saj si anëtare e agjencisë së specializuar të KB-së për turizëm.

Vendimi për pezullimin, i cili u propozua muajin e kaluar nga Këshilli Ekzekutiv i UNWTO, u mor në Asamblenë e përgjithshme të jashtëzakonshme të organizatës e cila mbahet në Madrid.

Pas paralajmërimeve nga Këshilli ekzekutiv i UNWTO për pezullim, delegacioni rus refuzoi të mbronte qëndrimin e tij, duke paralajmëruar tërheqje nga Organizata përpara debatit mbi propozimin.

Asambleja e UNWTO-s e miratoi pezullimin me shumicë prej dy të tretave, me vendimin që hyn në fuqi menjëherë, ndërsa tërheqja vullnetare hyn në fuqi një vit pasi anëtari të paraqesë kërkesë të tillë formale përmes kanaleve të duhura.

Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Zurab Pololikashvili, tha se anëtarësimi i Organizatës me vendim dërgoi porosi të qartë se turizmi është shtyllë e paqes dhe miqësisë ndërkombëtare dhe se anëtarët e UNWTO duhet, pa përjashtim, t’i respektojnë ato vlera ose të përballen me pasojat.

“Kjo Asamble e përgjithshme e jashtëzakonshme tregon se veprimet e Rusisë janë të pambrojtshme dhe në kundërshtim me parimet e UNWTO dhe qeverisjes ndërkombëtare,” tha ai.

UNWTO thekson se të gjithë anëtarët janë të përkushtuar për zhvillimin e turizmit “me synimin për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, mirëkuptimin ndërkombëtar, paqen, përparimin dhe perspektivën universale dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.

Ai sqaron se me humbjen e të drejtave dhe privilegjeve të anëtarësimit, Rusia nuk do të jetë në gjendje të marrë shërbime nga UNWTO – përfshirë asistencën teknike, as nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ndonjë takim apo aktivitet të organizuar nga Organizata. Rusia gjithashtu nuk do të lejohet të propozojë kandidatët e saj për organet e UNWTO.

Vendimi për pezullimin e anëtarësimit të Federatës Ruse është marrë në përputhje me Statutin e UNWTO, i cili thotë, ndër të tjera, se çdo shtet anëtar mund të pezullohet nëse dy të tretat e anëtarëve vlerësojnë se një vend ka këmbëngulur në politika në kundërshtim me qëllimet themelore të organizatës.

Pezullimi është i përkohshëm dhe mund të hiqet, por vetëm me vendim të Asamblesë së Përgjithshme dhe sipas së njëjtës procedurë.