Rusia është duke ndërtuar bazë ushtarake në Siri

TË FUNDIT

Hapat e fundit që ka ndërmarrë Rusia në afërsi të portit Latakia, në Siri, dëshmojnë për atë se Moska po planifikon të ndërtojë aty një bazë ajrore, ka kumtuar Pentagoni.
Në afërsi të këtij porti është vërejtur një prani e shtuar e personelit dhe pajisjeve ushtarake, ka njoftuar zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Dejvis.
Rusia nga ana e saj po vazhdon të këmbëngulë se është duke dërguar pajisje ushtarake në Siri, për të ndihmuar forcat e Presidentit Bashar Al Asad, në luftën kundër Shtetit Islamik.
Dejvis tha se ka shenja se Rusia është duke stacionuar njerëz dhe pajisje në rajonin e Latakias, gjë që sipas tij dëshmon për planet e Moskës për të ndërtuar një bazë ushtarake ajrore aty.
Zyrtarët amerikanë frikësohen se mbështetja e Rusisë për Sirinë mund të forcojë regjimin e Asadit dhe të komplikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin.
Në ndërkohë, Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se është e pamundur që organizata ekstremiste, Shteti Islamik, të mposhtet pa bashkëpunim me qeverinë në Damask.
Gjatë takimit të Organizatës për Siguri Kolektive dhe Bashkëpunim në Taxhikistan, Putin tha se Moska do të vazhdojë ti ofroj ndihmë ushtarake qeverisë së Asadit, duke kërkuar që këtë shembull të Rusisë ta ndjekin edhe shtetet tjera./21Media