Rugova: Isa Mustafa favorit i padiskutueshëm për kryetar të LDK-së

TË FUNDIT

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, beson se Isa Mustafa do të zgjidhet edhe për një mandat në krye të kësaj partie. Sipas tij, disponimi i elektoratit në terren është që Mustafa të udhëheq LDK-në edhe për katër vjet.

“Pres që ai ta shpall kandidaturën, dhe sa po e shoh unë në bazë të atmosferës dhe në bazë të zgjedhjeve në fazën e nëndegëve, besoj që Isa Mustafa do të jetë i përkrahur bindshëm për kryetar të LDK-së”, ka thënë nënkryetari Rugova për Orainfo.

Rugova nuk sheh rrezik nga ndonjë kandidaturë e mundshme nga të pakënaqurit e LDK-së. “Nuk shoh kandidatë me të favorshme për kryetar të LDK-së sesa Isa Mustafa dhe është mirë që ai të jetë kryetar edhe për katër vjet dhe unë e mbështes atë”, ka thënë Rugova.

LDK është në fazën finale të procesit zgjedhor. Në fund të muajit maj, do të mbahet Kuvendi zgjedhor në të cilën pritet të zgjedhjet edhe kryetari i ri.

Deri me tani, të paktën zyrtarisht asnjë anëtarë i LDK-së nuk shpallur kandidaturën e tij për të parin e kësaj partie.

Ndërsa kohëve të fundit janë shtuar pakënaqësitë në disa degë të LDK-së në Prishtinë, Podujevë dhe Gjakovë.