Rubio: Ukraina mund të prodhojë raketa Patriot, SHBA dhe Kievi në negociata

TË FUNDIT

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka konfirmuar se Uashingtoni dhe Kievi po zhvillojnë negociata për dhënien e një licence që do t’i lejonte Ukrainës të prodhonte raketa për sistemet Patriot.

Në një intervistë për Fox News, Rubio tha se bisedimet janë në proces, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Ai theksoi se edhe në rast se licenca miratohet, prodhimi vendas nuk do të nisë menjëherë, pasi raketat Patriot janë sisteme shumë komplekse që kërkojnë përgatitje të gjera.

“Rritja e prodhimit, edhe nëse ke lejen, është diçka që kërkon disa vite për të ndërtuar këto fabrika,” shpjegoi Rubio, duke nënvizuar se Ukraina do të duhet të krijojë kapacitetet e nevojshme dhe objektet e duhura për prodhimin e tyre.

Rubio paralajmëroi se licenca mund të sjellë rezultate në planin afatgjatë, por nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për nevojën aktuale të Ukrainës për raketa interceptuese, të cilat janë të domosdoshme për mbrojtjen e saj nga sulmet ajrore ruse.