Rubio nga Mynihu: SHBA dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës

TË FUNDIT

Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh të fortë për unitetin transatlantik, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa “i përkasin njëra-tjetrës”.

Në hapje të fjalimit të tij, Rubio vuri në pah rëndësinë historike të aleancës mes SHBA-së dhe Evropës, duke e cilësuar atë si një partneritet që “e ka shpëtuar botën” nga kërcënimet e së kaluarës.

Ai pranoi se SHBA-ja ndonjëherë mund të jetë “direkte” në qasjen e saj, por siguroi liderët evropianë se administrata e presidentit Donald Trump mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit.

“Jemi të përgatitur, nëse është e nevojshme, ta bëjmë këtë vetëm. Por preferojmë dhe shpresojmë ta bëjmë me ju, miqtë tanë këtu në Evropë”, deklaroi Rubio.

Duke theksuar se partneriteti disa dekadash është vënë nën presion gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump, Rubio nënvizoi se Uashingtoni kërkon një qasje të re në bashkëpunimin mes shteteve.

“Ne duam aleatë që janë krenarë për kulturën dhe trashëgiminë e tyre dhe që bashkë me ne janë të gatshëm dhe të aftë t’i mbrojnë ato”, theksoi ai.

Konferenca e Sigurisë në Mynih konsiderohet si një nga forumet më të rëndësishme globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, ku këtë vit fokusi mbetet në sfidat e reja gjeopolitike dhe forcimin e aleancave strategjike.