Rubio: Karteli i Diellit udhëhiqet nga Nikolas Maduro dhe është përgjegjës për trafikimin e drogës drejt SHBA-së dhe Evropës

TË FUNDIT

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi sot se do të shpallë të ashtuquajturin “Karteli i Diellit” (Cartel de los Soles), të përbërë nga funksionarë të lartë venezuelianë, si një organizatë terroriste.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 24 nëntor, njofton DPA.

“Me seli në Venezuelë, Karteli i Diellit udhëhiqet nga presidenti Nikolas Maduro dhe individë të tjerë të lartë nga regjimi jolegjitim i tij, të cilët e kanë korruptuar ushtrinë e Venezuelës, shërbimet e inteligjencës, legjislacionin dhe drejtësinë,” tha sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, në një deklaratë.

“As Maduro, as bashkëpunëtorët e tij nuk përfaqësojnë qeverinë legjitime të Venezuelës. Karteli i Diellit, së bashku me organizata të tjera të huaja të shpallura si terroriste, përfshirë Tren de Aragua dhe Kartelin Sinaloa, janë përgjegjës për dhunë terroriste në gjithë hemisferën tonë, si dhe për trafikim droge drejt SHBA-së dhe Evropës,” shtoi ai.

Besohet se Tren de Aragua, banda më e fuqishme në Venezuelë, është e lidhur me trafik droge, shantazh, miniera të paligjshme dhe trafikimin e njerëzve, dhe ka zgjeruar operacionet e saj në vende të tjera të Amerikës Latine dhe në SHBA. Administrata amerikane shpalli këtë grup si një organizatë terroriste në fillim të këtij viti.

Sipas qeverisë amerikane, regjimi i Maduros e ka kthyer Venezuelën në një “narko-shtet”, duke bashkëpunuar me guerilën kolumbiane për eksportin e drogës në Evropë dhe SHBA përmes Kartelit de los Soles – Kartelit të Diellit. Maduro i hodhi poshtë këto akuza.

Që prej disa javësh, forcat amerikane kryejnë sulme ndaj jahteve pranë bregut të Venezuelës, të cilat dyshohet se trafikojnë drogë drejt SHBA-së. Karakasi ka dënuar praninë e konsiderueshme ushtarake amerikane në zonë si një kërcënim. Sulmet shkaktuan gjithashtu kritika ndërkombëtare dhe nxitën Kombet e Bashkuara të bëjnë thirrje për kujdes nga ana e SHBA-së.