Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio, ka bërë thirrje për veprime ndërkombëtare me qëllim ndërprerjen e furnizimit me armë të Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të Sudanit, të akuzuara për vrasje masive në el-Fasher.
Në përfundim të takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Kanada, Rubio deklaroi se RSF-ja ka kryer mizori sistematike, duke përfshirë vrasje, përdhunime dhe dhunë seksuale ndaj civilëve.
Ushtria e Sudanit akuzon Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetje të RSF-së me armë dhe mercenarë të dërguar përmes vendeve afrikane. Nga ana tjetër, Emiratet kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Që nga prilli i vitit 2023, RSF-ja ka qenë në luftë me ushtrinë sudaneze, pasi përplasjet për pushtet ndërmjet udhëheqësve të tyre u përshkallëzuan në një luftë civile të përgjithshme.
Ende nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë thirrja e Rubios. Një propozim i mëparshëm i SHBA-së për një armëpushim humanitar në Sudan është shkelur tashmë nga RSF-ja, ndonëse palët ishin pajtuar për të vetëm një javë më parë.
El-Fasher u pushtua muajin e kaluar nga RSF-ja pas një rrethimi 18-mujor, që do të thotë se tashmë ajo kontrollon të gjitha qytetet në rajinin perëndimor të Darfurit. Një pjesë e popullsisë ka arritur të largohet nga qyteti, ku raportohet për masakra. Imazhet satelitore tregojnë grumbuj trupash dhe tokë të njollosur me gjak.
Sipas SHBA-së dhe grupeve humanitare, grupet jo-arabe në Darfur po shënjestrohen sistematikisht nga RSF-ja në atë që përbën gjenocid.
Gjatë bisedimeve diplomati i lartë amerikan theksoi se gratë dhe fëmijët janë bërë shënjestër e akteve të dhunës më të tmerrshme nga RSF-ja në el-Fasher.
“Ata po kryejnë akte dhune seksuale dhe mizorish, thjesht mizori të tmerrshme kundër grave, fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm. Kjo duhet të marrë fund menjëherë”, deklaroi Rubio.
Ai shtoi se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për ta ndaluar këtë situatë dhe i inkurajoi vendet partnere të bashkohen në këto përpjekje.
Rubio hodhi poshtë pretendimet e grupit paraushtarak se mizoritë ishin kryer nga “elementë mashtrues”, duke i quajtur ato të pavërteta dhe duke theksuar se sulmet janë sistematike.
Sipas Rubios, RSF-ja, që nuk ka kapacitete të veta prodhimi armësh, mbështetet në furnizime të jashtme, ndaj ai u bëri thirrje vendeve të ndalin çdo dërgesë armësh drejt saj.
Në deklaratën e përbashkët, G7 dënoi dhunën në rritje në Sudan, duke theksuar se konflikti mes ushtrisë dhe RSF-së ka shkaktuar “krizën më të madhe humanitare në botë.”
Deri më sot, më shumë se 150,000 njerëz janë vrarë dhe rreth 12 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas analizave të Amnesty International, armë të prodhuara në Serbi, Rusi, Kinë, Turqi, Jemen dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po përdoren aktualisht në Sudan. Rruga e kontrabandës kalon shpesh nëpër Emiratet e Bashkuara Arabe, Çad dhe më pas në Darfur, sipas një raporti të ekspertëve të OKB-së.
Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohen për furnizim me armë dhe mbështetje për RSF-në, e cila nga ana tjetër dyshohet se përdor Emiratet si qendër tregtare për shitjen e paligjshme të arit. Të gjitha palët kanë mohuar këto akuza.
Dy javë më parë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u kritikua ashpër nga ligjvënësit e saj pas akuzave se armët britanike po përfundonin në duart e RSF-së.
