RTV 21, pikërisht 22 vjet më parë nga dita e sotme, e nisi veprimtarinë e vet mediatike edhe zyrtarisht me lajmet e para të emituara në eter më 11 maj 1998!
Si në ditën e sotme, para 22 vjetësh, më 11 maj 1998, në Kosovën e një kohe të turbullte e shumë të paqartë, filloi nga puna edhe zyrtarisht Radio 21 me lajmet e para përmes eterit e pikërisht nga 30 minuta përmes Radio BBC me lajme të përgatitura nga një grup shumë i vogël miqësh gazetarësh, kryesisht të Radio Prishtinës. Ishte Afërdita Saraçini – Kelmendi, Florin Kelmendi – Luli, pastaj Xheraldina Vula dhe të tjerët. Iu bashkuan edhe Sijam Gorani, edhe Agim Binaku, edhe Zenel Buzuku, edhe Eugen Saraçini, edhe Hivzi Krasniqi, Behxhet Baraliu, Kurtesh Devaja, pastaj Antigona Baxhaku e disa të tjerë më të rinj e të reja…
Ky ishte fillimi i cili fatkeqësisht u ndërpre me ardhjen e trupave ushtarake-policore në pranverën e vitit 1999 në Prishtinë.
Radio 21 pushoi së punuari nga dhuna serbe, u detyrua të mbyllet kurse ekipi mori rrugën si 1 milion shqiptarë të tjerë të Kosovës në drejtim të Maqedonisë dhe Shqiperisë por edhe anëve të tjera të botës.
Në Shkup ky ekip nuk pushoi por atje me përkrahjen ndërkombëtare ia filloi sërish me punën e vullnetshme që të jap lajme po ashtu përmes valëve të BBC për të gjitha ngjarjet që ishte e mundshme të raportoheshin në ato kushte të luftës, tani nga qyteti buzë Vardarit.
Me mbarimin e luftës fillon ringjallja e këtij transmetuesi dhe me ndihmën e donacionet nga jashtë përpos radios lansohet edhe kanali televiziv kombëtar TV21. Së pari me një studio të improvizuar e pastaj duke rilindur si feniksi, Radiotelevizioni 21 filloi të marrë veten dhe të jetë lider i informimit korrekt, objektiv, i paanshëm , i shpejtë dhe mbi të gjitha në funksion të qytetarit dhe ecjes përpara të këtij vendi të dalë rishtas nga tmerret e luftës shkatërrimtare…
Ai grup njerëzish entuziast shumë shpejt ia dolën që të stabilizohen dhe të marrin veten e kështu të zgjerojnë programin nga 4 e 6 e 8 e 12 e për të arritur në 24 orë në ditë e me te edhe me valët e përhershme të Radios. Ambiciet e këtij kolektivi të vyeshëm ishin të dëgjohet dhe përcillet edhe më larg se Kosova dhe ia arriti së pari në shumicën e truallit të Evropës e për të qenë qendra e parë ballkanike televizive që me sinjalin e saj kapërceu Atlantikun e më vonë për të shkuar edhe në Australinë e largët. Me programe të larmishme, funksionale, sipas shijes së shikuesit e në shërbim të tij përherë por duke i përkrahur gjithmonë edhe rrjedhat e shtetformimit të Kosovës deri më 17 shkurt 2008 me Shpalljen e Pavarësisë e për të vazhduar si gjithmonë që ia kishte vënë vetes detyrë dhe objektiv profesional e kombëtar – që t’ua jap krahun ecjeve dhe përshpejtimeve të proceseve shtetformuese të këtij vendi që po lindëte.
Në vitin 2015 RTV21 u shtri edhe në Republikën e Maqedonisë ku funksionon si televizion i pavarur në këtë shtet fqinj ku ka një shikueshmëri solide nga popullata shqiptare e këtij vendi ku faktori shqiptar gjithnjë e më shumë po bëhet subjekt i fuqishëm shtetëformues në Maqedoninë e Veriut. Një mirënjohje meriton stafi udhëheqës, bordi, kolegjumet profesionale por edhe secili punëtor që me zell e profesionalizëm ishte në nivel të detyrës dhe të përgjegjësive! Një mirënjohje edhe për kontributin që kanë dhënë ata që vazhduan në medie të tjera dhe ata e që nuk janë më në mesin tonë si: Sijam Gorani, Agim Binaku, Nezir Istrefi, Faton Kapiti, Dervish Lekaj, Nermine Fazliu…
E nesër? Me siguri se RTV 21 nuk do të ndalet, por do të rris objektivat e saja që të jetë qendër edhe më e madhe e informimit mediatik elektronik duke begatuar programet, duke rritur punën edhe me gazetari elektronike e, që të tria së bashku ta plotësojnë dhe ndihmojnë njëra – tjetrin: televizioni, radio dhe portali, e kështu të tri në një funksion e me një qëllim që të ngelin besnike e shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit e respektuar! RTV21 ka qenë besnik me ju për 22 vjet por zotohet se do të jetë me ju edhe më me përkushtim në vitet që do vijnë! Edhe në këtë kohë pandemie RTV21 po vazhdon të sjellë informacione të sakta dhe të shpejta. Sepse: Këtë e ka përcaktim profesional, shtetëror e mbi të gjitha kombëtar me një qëllim që të haprojmë të sigurtë rrugës që na shpie drejt civilizimit evropian, pra atij botëror – atje ku edhe e kemi vendin! /21Media
