Rërë, pluhur dhe gropa.
Rrugët e dëmtuara në Vizbeg mbeten sfidë e kahershme për banorët dhe bizneset e kësaj lagje të Shkupit, që çdo ditë përballen me infrastrukturë të lënë pas dore.
“Lagjja Vizbeg gjendet vetëm disa kilometra larg qendrës së Shkupit por pothuajse të gjitha rrugët i ka të pa asfaltuara. Ajo që bie në sy këtu prapa meje është se edhe disa vetura të parkuara të cilat i ka mbuluar pluhuri”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.
Pluhuri gjatë verës, balta në ditët me shi dhe dëmtimet e shumta në automjete janë bërë përditshmëri për shoferët.
Kontaktuam kryetarin e komunës së Butelit, Darko Kosotovski, i cili shkurt u përgjigj:
“Ka shumë çështje të pazgjidhura, tani po zgjidhen si kurrë më parë. Dalëngadalë, gjithçka do të bëhet”, u shpreh Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.
Përveç rrugëve të lagjes, edhe rruga “Hasan Prishtina” e njohur si rruga e Kaçanikut, një nga akset më të frekuentuara që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, vazhdon të përballet me probleme të mëdha infrastrukturore. Gropat e shumta, pjesët e dëmtuara të asfaltit kanë vështirësuar lëvizjen e automjeteve, duke shkaktuar kolona të gjata dhe pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset që kalojnë çdo ditë në këtë drejtim.
Nga Qyteti i Shkupit thanë se kanë vendosur fokus të madh te nyja rrugore te Momin Potok, si dhe te segmenti deri te kryqëzimi me Bulevardin “Sllovenia”. Siç shtuan dinamika e punimeve në këtë pjesë është përshpejtuar ndjeshëm dhe ky projekt paraqet lehtësim të madh të qarkullimit të automjeteve nga ajo pjesë e qytetit.
“Paralelisht po përfundon kompletimi i dokumentacionit për bulevardet “Cvetan Dimov” dhe “Brigada e Kosovës”, me ç’rast parashihet zgjerimi i tyre dhe zgjidhja e përhershme e kaosit në komunikacion.
Pas përfundimit të këtyre projekteve po shqyrtohet mundësia për rikonstruksion të plotë të rrugës në Vizbeg, pranë zonës industriale”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Ndryshe para disa muajve biznesmenët nga zona më e madhe ekonomike në vend, Vizbegu, kërkuan asfaltim të ri të kësaj rruge. Sipas tyre në këtë rrugë funksionojnë mbi 100 kompani, që punësojnë rreth 8.000 persona dhe aktiviteti i të cilave sjell rreth 600 milionë euro qarkullim vjetor dhe 40 milionë euro fitim, që përbën 7.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
