Rruga e Vizbegut nuk është në listën e prioriteteve! Qyteti i Shkupit po nxiton për zgjerimin në ‘Momin Potok’

TË FUNDIT

U premtua shumë, por përveç arrnimit të disa gropave rruga “Hasan Prishtina”, e njohur me të vjetrën si Rruga Kaçanikut, mbetet përplot me gropa. Kanali që është gërryer më parë dhe pusetat që kanë mbetur sipër, kanë valëzuar edhe më keq asfaltin e pjesshëm të shtruar sa për ‘sy e faqe’. Por, ankesat e kalimtarëve janë të shumta ngaqë po amortizojnë veturat, kurse automjetet e rënda mezi lëvizin në atë aks rrugorë.

“Edhe pse është arteria kryesore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për shkëmbim të mallrave dhe shërbimeve, segmenti i zonës industriale këtu në Vizbeg mbetet me shumë gropa dhe akoma nuk dihet se kur do të bëhet sanimi i tërësishëm i këtij segmenti, i cili duhet të lidhet me autostradën e Bllacës deri në hyrje të Shkupit, gjegjësisht tek lidhja e ‘Momin Potok’-ut”, Adnan Qaili – gazetar.

Kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski tha se Vizbegu akoma nuk është në listën e prioriteteve. Sipas tij, ka shumë projekte të tjera që janë nisur dhe ende nuk i ka ardhur radha rrugës së Vizbegut.

“Për Vizbegun do të duhet të kemi pak më tepër durim sepse Qyteti i Shkupit ka prioritete, jo që Vizbegu nuk është prioritet, por për momentin aq janë mundësitë”, tha Gjeorgjievski.

Pak metra drejt hyrjes në Shkup ndeshesh në valën e dytë të kolonave. Në vjeshtë e dimër kishte baltë e ujë, ndërsa tani në pranverë e verë vapë e pluhur deri në qiell dhe nervozë tek ngasësit e makinave. Viti kalendarik po kalon ndërsa punimet akoma nuk janë kryer në këtë bublevard.

“Ndërkaq zgjerimi i Bulevardit nga ura e ‘Momin Potok’ deri tek Kryqëzimi i rrugës Sllovenia ka shkaktuar një kaos të paparë të trafikut, i cili është devijuar në rrugicat e zonës industriale, ku vështirësitë më të mëdha kanë makineritë e rënda si kamionët që bartin mallra. Por autoritet akoma nuk tregojnë kur do të jetë përfundimi i këtij projekti”, Adnan Qaili – gazetar.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se në atë anë po punohet me ritëm të shpjet, me qëllim që para sezonit veror të lëshohet në përdorim të paktën njëra nga akset e bulevardit që do të përdoret në të dyja drejtimet.

“Në ‘Momin Potok’ gjithashtu kemi dinamikë të fuqishme dhe ritëm të shpejtë, janë zgjidhur më shumë se 20 konteste pronësore juridike që ishte situatë ‘ferri’ të punohet aty për vetëm 6 muaj i kemi përpunuar përveç ‘Boris Trajkovskit’ dhe tani duket diçka drejt realizimit përfundimtar”, deklaroi Gjerorgjievski.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se rruga e Vizbegut duhet të jetë në listën e prioriteteve të autoriteteve nga që në atë zonë gravitojnë një numër i madh i bizneseve shqiptare. Ata thonë se çdo lidhje infrastrukturore do të përforcoj ekonominë e vendit dhe do të përshpejtoj lëvizjen e mallrave, duke u bërë më konkurrues me vendet e rajonit dhe duke rritur shkëmbimin tregtar.