Veç një kilometër e gjatë, por nuk po asfaltohet gati se një vit. Rruga 14 në fshatin Haraçinë është në fazën e vendosjes së trotuareve, ndërsa për asfaltim varet si do mbaj moti në dhjetor. Qytetarët thonë se kjo u vonua më shumë edhe shkaku kanalizimit, por që pluhuri verës e balta dimrit është bërë i padurueshëm. E për shkak të gropave qytetarët ankohen se po i prishin veturat.
“Rruga jonë presim të kryhet diku nga pranvera nëse na premton koha. A nuk do përfundoj para Vitit të Ri? Nuk besoj tash se shumë punë janë nisur por nuk besoj se do të bëhet. Me shpresë! Shpresa gjithmonë e fundit vdes. A keni telashe gjatë jetës së përditshme? Po plot, kemi dëme në vetura, me këmbësorët e të gjitha por s’na ka askush faj”, tha një qytetar.
“Probleme kemi se njerëzit nuk mund të ecin në këmbë, po tani po ka lloj-lloj rasti, pastaj çdo ditë veturat shkojnë nëpër punët e veta. Tash për momentin është duke u punuar por shumë ngadalë janë tu shkuar, kjo tani është dashur të jetë e kryer, por nuk janë tu dashtë të punojnë me të thënë drejtë”, shtoi një tjetër qytetar.
“Ai inxhinieri ishe duke bërë matje e unë e pyeta sa herë jeni tu e matë? Ai tha dy herë e matim e një herë e punojmë. Po shpresojmë se si të mbaj moti mirë këto 10 ditë do të kryhet. Po më na kanë lodhur prej 1 viti, na mbyti pluhuri verës e tash na mbyti balta dimrit”, tha një tjetër qyetar.
Përfaqësuesit e kompanisë zbatuese të projektit thonë se asfaltimi i kësaj rrugë do të bëhet para vitit ri.
Inxhinier i gjeodezisë tha se po punohet me intensitet të lartë.
“Deri më tani jemi duke punuar sipas dinamikës së paraparë në projekt, janë duke u zhvilluar punimet me një intensitet të lartë kështu që shpresojmë së shpejti t’i përfundojmë të gjitha punimet që duhet kryhen për këtë rrugë. Sa është e gjatë dhe e gjerë rruga? Rruga ka 1km e 28 metra kurse e gjerë është 5 metra në bazë të projektit dhe ashtu do të realizohet. Trashësia e asfaltit do të jetë 7cm sipas planit”, deklaroi Liridon Ismaili – Inxhinier i Gjeodezisë.
Nga Komuna thonë se me ndërrimin e kryesisë është rishikuar projekti dhe janë konstatuar disa parregullsi. Kryetari Daut Beqiri tha se kompania kishte shtruar vetëm gjysmën e zhavorrit nga ajo që parashikohej në kontratë, andaj punimet kanë qenë ndërprerë për një javë deri sa janë marrë vesh.
“Rrua 14 ka filluar të punohet diku 10 ditë para zgjedhjeve. Ne pasi e morëm mandatin, një javë pas marrjes së detyrës, me mbikëqyrësin e komunës të sektorit të urbanizmit dolëm në terren dhe inspektuam rrugën 14. Aty vërejtëm disa parregullsi ku e shqyrtuam marrëveshjen dhe e pamë se te kjo rrugë janë paraparë të hidhen 1,500m3 tampon, por kur bëmë llogaritjet me gjatësi, gjerësi dhe thellësi e vërejtëm se aty ka pasur zhavorr diku 600 e ca m3 dhe mungonin mbi 800m3 tampon. Dhe aty e ndërpritem punën”, theksoi Daut Beqiri – kryetar i Komunës së Haraçinës.
Sipas autoriteteve këto vonesa të rrugës janë bërë ngaqë paraprakisht është vendosur sistemi i kanalizimit të ujërave fekale dhe sistemi i kanalizimit atmosferik. Vetëm projekti i shtrimit të asfaltit dhe njërës anë të trotuarit ka kushtuar rreth 153 mijë euro, para të cilat do të paguhen në tri faza.
