Borxhi publik në tremujorin e tretë të këtij viti, në korrik, gusht dhe shtator u rrit për 16 milionë euro ose për 0,1 përqind më shumë krahasuar me tremujorin e dytë. Ai përbën 57,6 përqind të prodhimit të brendshëm bruto ose në vlerë absolute 9 miliardë e 730 milionë euro.
Por, sfida e vërtetë për qeverinë do të jetë si do të shlyhet borxhi publik në pesë vitet e ardhshme, kur do të duhet të kthehen rreth 6 miliardë e 680 milionë euro. Sfida e parë fillon që nga viti i ardhshëm 2026, kur do të duhet të shlyhen rreth dy miliardë euro. Për këtë arsye, një delegacion i Ministrisë së Financave, i udhëhequr nga Gordana Dimitrieska – Koçoska, në Londër shqyrton opsionet më të favorshme për financimin e detyrimeve të Maqedonisë.
Sa i përket dallimit në shumën për vitin 2026, ku në Strategjinë për menaxhimin e borxhit publik shkruan se duhet të kthehet një miliard e 334 milionë euro, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se kjo shumë është rreth dy miliardë, nga Ministria e Financave sqaruan:
„Në buxhete, në strategjitë fiskale dhe në strategjitë për menaxhimin e borxhit publik nuk përmenden detyrimet e marra përmes lëshimit të letrave me vlerë të shtetit (LVS) me afat maturimi deri në një vit. Kjo është një praktikë e vendosur që nga momenti kur filluan të lëshohen këto instrumente financiare dhe ne si Qeveri në të ardhmen duam ta ndryshojmë këtë dhe të komunikojmë edhe këto detyrime, të cilat më shpesh automatikisht rishkruhen nga bankat vendase. Prandaj, shifra reale për shlyerjen në 2026 është rreth dy miliardë euro“.
Nga ana tjetër, profesori universitar Sinisha Naumoski, i cili është gjithashtu pjesë e Këshillit të Bankës Popullore, thotë se çështja e borxhit publik duhet të shihet edhe nga një këndvështrim më i gjerë, d.m.th.. duhet të shihet borxhi bruto i jashtëm, ku përfshihen përveç detyrimeve të shtetit edhe detyrimet e sektorit privat, dhe kjo të krahasohet me totalin e kërkesave të jashtme. Dallimi i marrë është borxhi neto i jashtëm, i cili sipas Naumoskit, edhe pse do të rritet vitin e ardhshëm, megjithatë do të jetë i menaxhueshëm.
Naumoski thotë se për të menaxhuar borxhin neto të jashtëm, përveç që janë të rëndësishme rritja e PBB-së, konsolidimi fiskal dhe investimet e huaja direkte, ndoshta më i rëndësishëm është eksporti.
Ndryshe, borxhi publik ishte më i ulëti në vitin 2008, nga i cili gradualisht rritej për herë të parë të shpërthente në 2020 me krizën e COVID, dhe në vitet pasuese rritej seriozisht, për të pasur një shpërthim të dytë në vitin 2024. Për këtë rritje të madhe të borxhit publik janë përgjegjës deficitët e lartë buxhetorë, të cilët ishin shumë mbi 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe më së shpeshti financoheshin përmes lëshimit të euroobligacioneve. Dy prej tyre ishin nga 700 milionë, dhe dy nga gjysmë miliard euro. Kampioni për nga kamata, gati 10 për qind, ishte obligacioni në vitin 2009, ndërsa më i ulëti ishte ai në vitin 2021 me pak mbi 1,6 për qind.
