Banka Botërore publikoi të martën në Pekin versionin më të fundit të “Përditësimit ekonomik për Kinën”, duke theksuar se rritja ekonomike e Kinës ka mbetur e qëndrueshme pavarësisht çekuilibrave midis ofertës e kërkesës dhe ndërprerjeve të furnizimit me energji në nivel global.

Raporti vë në dukje që ekonomia kineze u mbështet nga investimet e forta në teknologjinë e lartë dhe nga eksportet në fillim të vitit 2026, duke shtuar se përkrahja me politika, investimet në teknologjinë e lartë dhe masat mbrojtëse kundër ndërprerjeve të furnizimit me energji në botë kompensuan pjesërisht kërkesën më të dobët të brendshme gjatë tremujorit të dytë.
Në këtë dokument theksohet gjithashtu që rreziqet për perspektivën janë përgjithësisht të balancuara dhe që rreziqet e përsëritjes së luhatjeve në furnizimin me energji dhe në çmimet e naftës në nivel global mbeten ende të pranishme.

“Forcimi i mëtejshëm i rrjetit të sigurisë sociale do të ishte një masë kyçe për të nxitur konsumin. Rritja e nivelit të përfitimeve, zgjerimi i mbulimit për punëtorët informalë dhe ofrimi i qasjes bazuar në vendbanimin mund t’u japin familjeve besimin për të shpenzuar më shumë në vend që të kursejnë,” tha Tatiana Rosito, drejtoreshë e degës së Bankës Botërore për Kinën, Mongolinë dhe Korenë.
Përditësimi tregon që, në Kinë, kërkesa si për aftësi teknike në fushën e gjelbër, ashtu edhe për kompetenca të transferueshme, si të menduarit sistemor, të mësuarit përshtatës dhe aftësitë digjitale, po zgjerohet përtej atyre që janë përcaktuar në mënyrë të kufizuar si sektorë me lëshim të ulët karboni. Këto aftësi po gëzojnë gjithashtu paga më të larta.
Elitza Mileva, kryeekonomiste e Bankës Botërore për Kinën, thekson që tranzicioni drejt lëshimit të ulët të karbonit po krijon mundësi të reja pune, ndërsa trajnimi, kredencialet e lëvizshme të aftësive të gjelbra dhe mbrojtja më e fortë sociale mund të ndihmojnë në bërjen e tranzicionit më të qetë dhe më përfshirës.
