Rritja e bashkëpunimit Kinë – BE shoqërohet edhe me fërkime tregëtare

TË FUNDIT

Duke folur në një konferencë të rregullt shtypi lidhur me deklaratat e fundit të bëra nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për marrëdhëniet Kinë-BE, zëdhënësja e MJK Mao Ning i mirëpriti komentet pozitive të udhëheqëses së lartë të BE-së në lidhje me zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kinës, veçanërisht në fushat e zhvillimit të gjelbër dhe zbutjes së varfërisë.

Zëdhënësja ritheksoi qëndrimin e palës kineze se zhvillimi i Kinës përbën mundësi e jo sfidë për BE-në.

Kundrejt shqetësimeve të BE-së për çështjet ekonomike e tregtare, Mao tha se dallimet dhe fërkimet janë të pashmangshme në procesin e bashkëpunimit, duke pasur parasysh vëllimin e madh të tregtisë Kinë-BE.

Ajo vuri në dukje rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit Kinë-BE gjatë pesë dekadave të fundit, duke thënë se vëllimi i sotëm ditor i tregtisë dypalëshe është i barabartë me atë të një viti të tërë në periudhën kur të dy palët vendosën marrëdhëniet diplomatike.

Mao tha se gjendja e tanishme e tregtisë Kinë-BE është rezultat i ndërthurjes së ndikimit të mjedisit makroekonomik, kushteve të tregtisë ndërkombëtare dhe strukturës industriale përkatëse të të dy palëve dhe asnjërës palë nuk duhet t’i kërkohet ta marrë të gjithë përgjegjësinë për këtë. “Ligjet e tregut duhet të respektohen dhe nuk duhet të ketë shitblerje të detyruar,” vuri në dukje ajo.

Lidhur me subvencionet, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze tha se politikat e subvencioneve të Kinës janë plotësisht në përputhje me rregullat e OBT-së dhe janë të hapura e transparente. Sipas saj, Kina nuk është i vetmi vend që ka subvencione dhe BE-ja nuk duhet të zbatojë standarde të dyfishta për këtë çështje.

“Sipas të dhënave statistikore jo të plota, nga viti 2021 deri më 2030, BE-ja do të ofrojë subvencione të ndryshme në shumën e përgjithshme prej mbi 1.44 trilionë eurosh. Deri në fund të vitit 2024, mbi 300 miliardë euro janë shpërndarë”, theksoi Mao.