Numri i turistëve në Maqedoninë e Veriut në periudhën janar-maj 2024, është rritur për 12% krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Tek turistët vendorë ka rritje prej 2,6% ndërsa tek turistët e huaj ka rritje për 16,6%. Në periudhën e njëjtë shënohet edhe rritje e bujtjeve për 10,2%. Këto janë të dhënat e fundit për periudhën janar-maj nga Enti i Statistikave për turizmin në Maqedoninë e Veriut.
Turistët në Maqedoni më së shumti preferojnë Shkupin dhe Ohrin. U pëlqen Qendra e Shkupit, Ura e Gurit dhe ushqimi.
–Sapo kam vizituar Shkupin.
-Keni ardhur sot?
-Para ca ditëve.
-Ku ishit në Shkup?
-Kjo është dita ime e parë për turizëm.
-Dhe çka ju impresionoi më tepër këtu?
-Ushqimi ishte shumë i mirë.
–Sapo kemi arritur mbrëmë dhe nuk kemi patur mundësi shumë të shohim. Deri tani kemi kaluar në Qendër, Çarshia e Vjetër është shumë e bukur. Dëgjojmë shumë gjuhë të huaja dhe është interesante për turistët këtu.
-Është e vështirë të thuhet sepse ne sapo kemi arritur mbrëmë vonë. Kjo është shëtitja jonë e parë në qytet. Male dhe statuja, shumë ka, janë të mira. Ura e Gurit është shumë e bukur. Çarshia e Vjetër këtu është shumë shumë e mirë. Gjithçka është shumë lirë. Ishte ideja e tij të vijmë këtu sepse na pëlqen të vijmë në Ballkan, nuk kishim qenë në Maqedoni më parë. Do të shkojmë edhe në Ohër. Atje do të kalojmë pjesën më të madhe të kohës, liqeni….
Rritjen e numrit të turistëve e vërejnë edhe shitësit e suvenireve dhe produkteve për turizëm në Çarshinë e Vjetër, mirëpo prapa kamerave ankoheshin se nuk ka mjaftueshëm shitje.
Numri i turistëve që kanë vizituar Maqedoninë e Veriut në muajin maj të këtij viti, shënon 106,604 prej të cilëve 74,5% janë turistë të huaj. Numri i bujtjeve në muajin maj shënon 200,439, prej të cilave 70,6% janë turistë të huaj.