Rritet numri i të prekurve me virus sezonal – Lumani: Ka të prekur me koronë, por me simptoma të lehta

TË FUNDIT

Me rritjen e temperaturave, është rritur edhe numri i pacientëve me virus sezonal në vendin tonë, tregon mjeku Sedat Lumani, i cili shton se duhet të mbrohemi me veshmbathje të përshtatshme për verë, t’u ikim daljeve në temperatura ekstreme e po ashtu të shmangen edhe aktivitetet fizike, pasi që djersitja e tepërt çon në dehidrim.

“Për shkak të temperaturave të larta e kemi një fluks më të madh të numrit të pacientëve, por jo t’i anashkalojmë edhe infeksionet e sistemit të frymëmarrjes, për fat të keq sivjet kemi edhe një numër të madh të atyre, sidomos që ditëve të fundit ose javëve kemi një numër me koronë pozitiv që janë, mirëpo jo me simptomatologji, siç ka qenë para 2-3 vjetëve”, tha Sedat Lumani, mjek.

Mjeku Sedat Lumani thotë se e vjella në ditën e parë i lodhë shumë pacientët, ndërsa me një dietë ushqimore dhe hidrim, organizmi përmirësohet shpejtë dhe nuk ka pasoja. Për këtë zgjidhja sipas tij, është kuzhina popullore, fruta dhe perime pasi që përmbajnë më shumë ujë.

“Më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të moshuarit. Aq më tepër të gjithë të sëmurët që janë prej sëmundjeve kronike që kanë imunitet të ulët, edhe në moshën madhore të themi mund të përkeqësohet, gjithnjë flasim për komplikimet për sëmundje të cilat mbarojnë me hospitalizim, jo rrallë herë edhe me pasoja të përjetshme”, tha Lumani.

-A ka pasoja edhe më afatgjate që ndikon në sëmundje të tjera?  

2Nuk ndikojnë ato janë sëmundje të cilat evitohen për disa ditë”, tha ai.

Përndryshe, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në korrik janë paraqitur gjithsej 250 raste me COVID-19, që në krahasim me qershorin, numri i të prekurve ka shënuar rritje. Numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Shkup.