Kina do të rrisë shpenzimet ushtarake me më shumë se 7% gjatë vitit 2023, duke paralajmëruar edhe për kërcënime të “përshkallëzuara”. Kjo u bë e ditur në Kongresin Popullor Kombëtar, i cili do të konfirmojë mandatin e tretë të Presidentit Xi Jinping.
Buxheti ushtarak i Pekinit me rreth 225 miliardë dollar, është ende i vogël krahasuar me Shtetet e Bashkuara, i cili është katër herë më i madh se ai i Kinës.
Por analistët besojnë se Kina i minimizon shpenzimet e saj për mbrojtjen. Kryeministri në largim, Li Keqiang, i tha NPC se “përpjekjet e jashtme për të shtypur dhe kontrolluar Kinën po përshkallëzohen”.
“Forcat e armatosura duhet të intensifikojnë trajnimin ushtarak dhe gadishmërinë,”- tha ai.
Në takim u njoftua gjithashtu se Kina do të ndjekë një objektiv më të reduktuar të rritjes ekonomike me rreth 5% këtë vit. Dy Sesionet, siç njihen takimet, janë një çështje e përvitshme. Por seancat e këtij viti janë veçanërisht të rëndësishme pasi delegatët pritet të riformësojnë disa institucione kyçe të Partisë Komuniste dhe shtetërore.
Takimi i kësaj jave NPC do të zyrtarizojë edhe udhëheqjen e re të vendit nga zoti Xi, pasi ai do të zgjidhet president i Kinës dhe kreu i forcave të armatosura.
Ai siguroi pozicionin e tij në pushtetin kinez tetorin e vitit të kaluar, kur Partia Komuniste e rizgjodhi atë si udhëheqës edhe për një mandat të tretë.
Rritja e shpenzimeve ushtarake vjen ndërsa Xi po përballet me përkeqësim të lidhjeve me SHBA-në, lidhur me luftën në Ukrainë dhe sagën e fundit të balonave të spiunazhit, dhe marrdhëniet e ngrohta me liderin rus, Vladimir Putin.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Kina mund të pushtojë Tajvanin në vitet e ardhshme. Kina ka ofruar shfaqje gjithnjë në rritje të forcës ushtarake në ajër dhe det rreth Tajvanit, duke përfshirë lëshimin e raketave balistike.
Kina e sheh Tajvanin e vetëqeverisur si një provincë të shkëputur, e cila duhet të jetë nën kontrollin e Pekinit. NPC do të zbulojë gjithashtu edhe kryeministrin e ri, që tradicionalisht mbikëqyr ekonominë dhe aspektet administrative të qeverisjes.
Li Qiang, një nga njerëzit më të besuar të Xi, pritet të marrë rolin e kryeministrit. BBC
