Mbrëmë vonë në Ohër është rrahur sekretari i Klubit bullgar “Car Borisi i Tretë” Hristijan Pendikov nga tre persona, pas çka ka përfunduar në spital. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, incidenti ka filluar në një objekt hotelierik në qendër të qyteti, e pastaj ka vazhduar edhe jashtë tij. Policia tashmë ka arritur t’i identifikojë tre sulmuesit.
“Në një objekt hotelierik në Shëtitoren “Maqedonia” në Ohër, pastaj edhe jashtë objektit, H.P u sulmua fizikisht nga S.K., S.K. dhe I.S., të gjithë nga Ohri, duke marrë lëndime të rënda trupore të cilat janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër. Është informuar prokurori publik dhe SPB-Ohër është duke ndërmarrë masa për zbardhjen e rastit, pas çka do të vijojë kallëzim përkatës”, thonë nga
Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dënoi ashpër rrahjen e sekretarit të Klubit bullgar në Ohër, Pendikov dhe paralajmëroi se do ta vizitojë në spital. Siç shton, është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet bullgare në lidhje me këtë incident.
“Unë që dje merrem me këtë çështje dhe jam në komunikim me të gjitha institucionet. Sot në mëngjes kisha mundësi të realizoj një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë. Dua ta shfrytëzoj rastin për ta dënuar ashpër këtë sulm dhe të kërkoj që institucionet t’i ndërmarrin të gjitha masat për përgjegjësi ndaj personave që kanë kryer sulm fizik për shkak të identitetit etnik, kulturor të cilitdo qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Nga MPJ bullgare paralajmëruan se do ta thërrasin ambasadoren e Maqedonisë në Sofje, Agneza Rusi, për t’i dorëzuar një notë proteste.
“Autoritetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe efikase për luftën kundër krimet të urrejtjes ndaj bullgarëve. Shteti bullgar me muaj të tërë me këmbëngulje i theksonte pritshmëritë nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin masa urgjente dhe efikase kundër përshkallëzimit serioz të krimeve të urrejtjes dhe manifestimeve kundër bullgarëve në vend”, theksojnë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
Në opinion incidenti interpretohet si reagim ndaj provokimeve të vazhdueshme nga kryetari i partisë bullgare “Rilindja” Kostadin Kostadinov, sidomos ndaj rastit të fundit ku eurodeputeti bullgar Angell Xhambaski në qendrën e Shkupit tha se Maqedonia është bullgare. Osmani për këtë rast dorëzoi notë proteste por nuk mendon se duhet të shpallet persona non-grata për shkak se, siç tha, nuk do që të merret me figura margjinale që duan që të vetëpromovohen.
