Rrëzohet një aeroplan i Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah

TË FUNDIT

Operacionet ushtarake përgjatë gjithë vijës së frontit në Nagoren-Karabah vazhduan sot, kurse sistemet anti-ajrore të forcave armene rrëzuan një aeroplan dhe një fluturake pa pilot të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit, kumtoi zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Armenisë, Shushan Stepanjan.

“Sistemet anti-ajrore të forcave armene në drejtimin verilindor të Arkah rrëzuan një avion armik dhe një fluturake pa pilot këtë mëngjes. Lufta vazhdon përgjatë gjithë vijës së frontit. Armiqtë u përpoqën të thyejnë vijën e frontit në disa drejtime”, ka shkruar Stepanjan në Fejsbuk.

Konflikt i ri mbi Nagoren-Karabah, enklavë kryesisht armene në Azerbajxhan, shpërtheu në 27 shtator, duke vrarë më shumë se 100 njerëz dhe duke plagosur qindra. Si Armenia ashtu edhe Azerbajxhani kanë shpallur gjendje lufte dhe mobilizim ushtarak.

Konflikti Nagoren-Karabah filloi në shkurt të vitit 1988, kur rajoni autonom shpalli shkëputjen nga Azerbajxhani. Pas konfliktit të armatosur 1992-1994, Baku humbi kontrollin e Nagren-Karabahut dhe shtatë rajoneve fqinje.

Negociatat për një zgjidhje paqësore të konfliktit kanë filluar që nga viti 1992 brenda Grupit të Minsk të OSBE-së, të udhëhequr nga tre bashkë-kryesues – Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Azerbajxhani insiston në ruajtjen e integritetit të saj territorial, ndërsa Armenia mbron interesat e republikës së panjohur, duke pasur parasysh se Nagoren-Karabahu nuk është palë në negociata.