Rreziku rus në Ballkanin Perëndimor, Bosnje dhe Hercegovina vendi më i brishtë në rajon

TË FUNDIT

Shtete si Moldavi dhe Gjeorgjia në rajonin e Detit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina në Ballkanin Perëndimor janë “zonat e nxehta” sa i përket presionit dhe ndikimeve ruse! Sot në ditën e dytë të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në fokus ishte pikërisht siguria dhe mbështetja më e madhe ndaj këtyre vendeve të brishta, që më lehtë mund të destabilizohen nga Kremlini. Për herë të parë në një takim të këtillë e ftuar ishte edhe Bosnje dhe Hercegovina, Ministrja e Jashtme e së cilës, Bisera Turkoviç, hapur shpreh shqetësim për të ardhmen e vendit të saj në një kohë kur po bëhen përpjekje për formimin e qeverisë së re.

Siç mund ta dini, kemi ose kemi pasur në qeverinë tonë kemi pasur “përfaqësues” rusë, kështu që ndasitë në shtet janë të thella dhe shpresojmë se do të mund t’i tejkalojmë”, tha Bisera Turković, ministre e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës.

Sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg theksoi se Bosnje dhe Hercegovina përbën rëndësi për sigurinë e gjithë Ballkanit Perëndimor, andaj sigurioi për mbështetjet e mëtejshme të Aleancës.

 “Mendoj se që të mund t’u bëhet rezistencë përpjekjeve ruse për ndërhyrje dhe ndikim në BeH gjëja më e rëndësishme që duhet bërë është kompletimi i formimit të qeverisë dhe të kuptohet se çdo gjë që mund t’i përforcojë institucionet qeveritare, do ta bënte BeH më të qëndrueshme ndaj çfarëdo ndikimi dhe aktiviteti të jashtëm malinj”, pohoi Jens Stoltenberg, sekretar gjeneral i NATO-s.

Mbyllja e dosjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor do të pamundësonte ndikimin rus në rajon, vlerëson Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i cili në takim me homologët e vendeve të NATO-s ka siguruar për mbështetjen ndaj shteteve të rajonit të Detit të Zi, Bosnjës por edhe Kosovës.

 “Mbështesim integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë e tre këtyre shteteve, natyrisht edhe të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre të sigurisë. Unë thash brenda në takim se RMV mbështet fuqimisht të ardhmen euroatlantike të Kosovës, përmbylljen sa më shpejt të kontestit me Republikën e Serbisë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i jashtëm i RMV-së.

Kujtojmë se fokusi kryesor i këtij takimi dyditor të Ministrave të Jashtëm ishte ndihma e shteteve aleate ndaj Ukrainës, sidomos tani në prag të dimrit kur, siç po paralajmëron sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stolenberg, Presidenti rus Putin është duke u përpjekur ta shfrytëzojë dimrin si një armë lufte, duke i detyruar ukrainasit që të ikin ose të ngrijnë së ftohti. Për këtë Ministrat e Jashtëm u zotuan për ndihmë me karburante dhe gjeneratorë, gjersa theksuan se mbështetja ushtarake ndaj Ukrainës është thelbësore për përballjen e saj me agresionin rus!

Besir Arifi, TV21 – Bukuresht.