Në vitin 2025, nga 203,1 milionë familje në Bashkimin Evropian, vetëm 47,4 milionë ose 23,4% kishin fëmijë, përcjell TV21. Shumica prej tyre ishin çifte me fëmijë (14,7%), lloje të tjera familjesh me fëmijë (5,6%) dhe prindër të vetëm me fëmijë (3,0%), tregojnë të dhënat e Eurostat.
76,6% e familjeve pa fëmijë përbëheshin nga persona që jetonin vetëm (37,5% e të gjitha familjeve), çifte pa fëmijë (24,1%) dhe forma të tjera familjesh (15,1%).
Ndërmjet viteve 2016 dhe 2025, numri i familjeve me një person të vetëm pa fëmijë u rrit për 19,2% (nga 63,9 milionë në 76,1 milionë), ndërsa familjet me çifte pa fëmijë u rritën për 3,3% (nga 47,3 milionë në 48,9 milionë). Në të kundërt, numri i familjeve me çifte dhe fëmijë ra për 6,3% (nga 31,9 milionë në 29,9 milionë), ndërsa format e tjera të familjeve me fëmijë u ulën për 3,5% (nga 11,8 milionë në 11,4 milionë).
Përqindjen më të lartë të familjeve me fëmijë e kanë Sllovakia me 35,4%, Irlanda me 30,8% dhe Qipro me 28,2%. Përqindjen më të ulët e kanë Finlanda me 18,2%, Lituania me 18,4% dhe Gjermania me 19,9%.
Në vitin 2025, 50,2% e familjeve në BE me fëmijë kishin një fëmijë, 37,6% kishin dy fëmijë, ndërsa 12,2% kishin tre ose më shumë fëmijë. Familjet me një fëmijë ishin veçanërisht të zakonshme në Portugali (61,8% e të gjitha familjeve me fëmijë), Bullgaria (60,4%) dhe Malta (59,5%).
Në 14 nga 27 vendet e BE-së, shumica e familjeve me fëmijë kishin dy ose më shumë fëmijë. Kjo përqindje ishte më e lartë në Suedi me 57,8%, Holandë me 57,6% dhe Irlandë me 56,7%.
