Rreth 50 persona në një sallë të mbyllur në KSHZ! Bartësit e listave premtuan zgjedhje korrekte dhe të parrezikshme

TË FUNDIT

Nga njëra qëndronin përfaqësuesit e partive politike të përfshirë në listat zgjedhore.

Nga ana tjetër ishin edhe gazetarët dhe kameramanët.

Kështu, rreth 50 persona ishin mbledhur sot në sallën e mbyllur të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ku përfaqësuesit e listave zgjedhore duhej të nënshkruanin deklaratën për zgjedhje korrekte dhe demokratike më 15 korrik.

E kjo tollovi ngjalli reagimin e përfaqësuesve të listave zgjedhore. Për të qenë më të sigurt, disa prej tyre e lëshuan sallën.

“Nuk duhej të mbahej kështu. E shihni sa shumë njerëz ka. Tash 100 veta do të mblidhemi në KSHZ, do të sëmuremi dhe pastaj do të shkojmë në zgjedhje. Jashtë duhej. Kështu do ta ndalmi koronën? Për këtë kemi 200 të sëmur,” tha Jorgo Ognenovski, Partia Demokratët.

“Sikur në ‘Ditë të të vdekurve’. Por këtu nuk ka fat… çfarë fati të ketë këtu, grumbullim në mes të epidemisë së virusit korona,” tha Solza Goçeva, Zëri i Maqedonisë.

Jashtë dolën edhe gazetarët të cilët më pas u vendosën në ballkonin e KSHZ-së nga ku i morën deklaratat e të pranishmëve.

E pyetëm kryetarin e KSHZ-së, Oliver Derkoski se pse ndodhi ky lëshim? Nuk dha vlerësim për ngjarjen e sotme, por premtoi se aktivitetet e ardhshme do të zhvillohen në formë online, ndërkaq për ditën e zgjedhjeve nuk përjashtohet që seancat dhe konferencat të mbahen edhe në ballkon.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor në periudhën e ardhshme që të prevenojë dhe të ju mbrojë edhe juve si pjesëmarrës në procesin zgjedhor do të sigurojë pajisje për për Live Stream që të mund t’i ndiqni seancat e komisionit dhe nëpërmjet atij mjeti, ashtu do të ju mbrojmë që mos t’ju sjellim që kur të ketë seanca më serioze të mos krijohet tollovi këtu,” tha Oliver Derkovski, kryetar i KSHZ-së. Përfaqësuesit dhe bartësit e listave zgjedhore krahas me kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike, deklaruan se nuk do të rrezikojnë shëndetin e votuesve të tyre, ndërkaq mediat patën rast të shohin se si për një listë zgjedhore, në KSHZ kishin ardhur deri në 3 përfaqësues partiak.