Assesi të gjendet zgjidhje për kaosin e përditshëm në parkingun e Klinikës së Qytetit “Nëna Terezë” në Shkup. Makinat futen në parking, rrotullohen, nuk mund të gjejnë vend të lirë dhe detyrohen të dalin sërish jashtë, madje duhet të paguajnë.
Pyetëm në ministrinë e shëndetësisë së a është ndërmarrë ndonjë iniciativë për të zgjidhur këtë problem nga atje u përgjigjën shkurt:
“Sa i përket parkingut në kompleksin e klinikave është finalizuar zgjidhja konceptuale. U kryen edhe konsultime me grupet e interesit”- thonë nga Ministra e Shëndetësisë.
Ministri i ri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në paraqitjen e tij të parë para mediave tha se prioritet është rregullimi i çështjes së parkingut.
Por hapësira siç duket nuk është e mjaftueshme, dhe zgjidhje mund të ketë ndoshta vetëm në klinikën e re të paralajmëruar tashmë një kohë të gjate.
Me ardhjen në krye të shëndetësisë, Mexhiti u shpreh se kjo është e domosdoshme për vendin tonë, ndërsa shtoi se projektin e kanë në dorë dhe sapo të jetë gati do ta shpalosin në opinion.
“Gjëja tjetër shumë me rëndësi për shtetin e që është përfolur shumë kohës së fundit, është Qendra klinike. Do të thotë se ne do ta vazhdojmë atë projekt, në programin tonë e kemi paraparë, e kemi në detaje të rregulluar, të organizuar. Do ta shohim kohën dhe tajmingun kur do të dalim para mediave dhe kur do të jemi shumë të sigurt. E dimë saktë, vizionin, idetë i kemi, komplet projektin dhe do të dalim do ta përfaqësojmë para jush, mediumeve.”- deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër I Shëndetësisë
Ideja për një kompleks të ri të Klinikave buron që nga 2016-ta, kur ministër i Shëndetësisë ishte Nikolla Todorov.
