Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri i Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dolën para gazetarëve ku sqaruan se kidnapimi i tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë është bërë brenda territorit të Kosovës. Këtë Kurti e tregoi edhe me hartë, lokacionin ku ka ndodhur rrëmbimi i policëve.
“Ndodhet 1 km, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Veç kësaj, Kurti dhe Sveçla treguan se rruga në atë anë është e prerë, andaj policën as s’kanë mundur të kalojnë.
“Shihet qartazi se nuk kanë mundur të kalojë tutje, siç pretendon Serbia, se paskan shkuar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar. Pra nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por për kidnapim në Kosovë”, pohoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Dëshmi tjetër se ku ka ndodhur rrëmbimi, sipas Kurtit, janë mjetet që janë gjetur në vendngjarje, siç janë prangat plastike, por shtoi se çuditërisht KFOR-i nuk del për ta konfirmuar këtë.
“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë, është fakti se as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para jush, nuk del zyrtarisht KFOR-i”, theksoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Kurti kërkon lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të rrëmbyer policorë të RKS-së, ndërsa ndërkombëtarëve u kërkoi që ta dënojnë aktin e agresionit serb.
“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Si reagim i veprimeve kriminale të Serbisë, Kurti tha se institucionet e sigurisë të Kosovës e kanë rritur niveli i gatishmërisë.
“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, pohoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla veprimin e Serbisë e quan hakmarrje për arrestimin e kriminelit Millun Millenkoviq – Llune. Në konferencën e këtij mëngjesi Sveçla se nuk dihet se ku po mbahen 3 policët e Kosovës dhe se janë gati të bëjnë çmos për kthimin e tyre.
“Qeveria e Kosovës është e mobilizuar që të bashkëpunojë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të kemi presionin e nevojshëm drejt Serbisë që këta tre zyrtarë të kthehen në Kosovë”, deklaroi Xhelal Sveçla, ministër i brendshëm i RKS.
Dy formacionet që janë futur në territorin e Kosovës, sipas Kurtit dhe Sveçlës, janë Njësia Speciale serbe Antiterror dhe Njësia Speciale Ushtarake “Kobra”.
