Kuvendi me procedurë të shkurtër miratoi ndryshimet e Rregullores me të cilat harmonizohen dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa propozimi vjen nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Sipas tij, ndryshimet kontribuojnë për rregullim të përgjithshëm të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe në ndryshimin e emrit të shtetit. Për këtë ligj votuan deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa opozita para votimit u largua nga salla.
“Votuan gjithsej 63 deputetë, të gjithë 63 deputetë votuan PËR, të përmbajtur – nuk ka, kundër – nuk ka. Konstatoj se Kuvendi e miratoi Rregulloren për ndryshim dhe plotësim të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, theksoi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë kundër sjelljes së këtyre ndryshimeve pa u harmonizuar edhe ndryshimet tjera për të cilat zhvillohen bisedime me procesin “Zhan Mone”. Në lidhje me këtë, reagoi koordinatori i grupit të deputetëve, Nikolla Micevski, sipas së cilit me sjelljen e ndryshimeve me procedurë të shkurtër nuk respektohet procedura dhe se nuk është në përputhje me procesin “Zhan Mone”, në të cilin, siç theksoi, partitë politike me konsensus dakordohen për ndryshimin e Rregullores.
“Pse nuk lëni që për këtë punë të harmonizohen edhe grupet e deputetëve dhe së bashku me sjelljen e të gjithë Rregullores ta bëjnë këtë në mënyrë konsensuale për të kënaqur të gjitha partitë politike dhe të gjithë deputetët në Kuvend. Megjithatë ju njësoj siç bëtë me ligjin për gjuhët për të cilin VMRO-DPMNE dorëzoi 35 363 amendamente, e injoroni vullnetin e deputetëve”, deklaroi Nikolla Micevski.
Xhaferi u përgjigj se Ligji për përdorimin e gjuhëve është sjellë në mars të vitit 2018 dhe se me ndryshimet vetëm janë harmonizuar aktet nënligjore të Kuvendit. Me ndryshimet parashihet edhe ndryshimi i vulës së Kuvendit ku do të jetë emri i ri i shtetit dhe do të jetë në dy gjuhë.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
