Rregulla të reja në Ulqin! Kush kapet me rroba banje ose pa një pjesë të veshjes jashtë zonave të plazhit, do të gjobitet!

TË FUNDIT

Nëse një person kapet me rroba banje ose pa një pjesë të veshjes jashtë zonave të plazhit, do të gjobitet nga 150 deri në 500 euro, përcjell TV21. Kjo parashihet në Vendimin për plotësimin e Vendimit për Rendin Komunal, i cili u miratua në seancën e Kuvendit të Ulqin javën e kaluar.

Sipas mediave në Mal të Zi, në vendim theksohet se rregullat e reja të sjelljes vendosen për mbrojtjen e rendit komunal, dinjitetit të qytetit dhe pamjes së rregullt të hapësirave publike.

“Sipas rregullit të ri, ndalohet ecja me rroba banje ose pa një pjesë të veshjes në hapësirat publike në zonat urbane, periferike dhe turistike në territorin e komunës së Ulqinit, përveç në zonat e plazheve dhe bregdetit të destinuar për larje. Kjo vlen veçanërisht për rrugët, sheshet, shëtitoret, zonat për këmbësorë, parqet dhe hapësirat tjera publike që nuk janë të përcaktuara si zona plazhi”, thuhet në vendim.

Me një nen tjetër është përcaktuar se për këtë kundërvajtje do të shqiptohet gjobë prej 150 deri në 500 euro.