Ka shkuar në pushim te vajza e saj në Amerikë për të qëndruar 4 muaj, por për shkak të korona virusit ka mbetur atje dyfish më gjatë. Pas dhjetëra fluturimeve të anuluara, para dy ditëve teta Lubicë nga Çikago është kthyer në vendlindje. Thotë se me gjendjen e krijuar nga korona virusi gjithçka ka qenë e mbyllur përveç marketet.
“U zbrazën dhe u mbyllën të gjithë kompanitë, punonin veç marketet. Teatrot, sallonet e bukurisë, shitoret u mbyllën. Mbizotëronte panik, u shpenzua mielli, tharmë buke nuk kishte, nuk kishte për të blerë. Unë ndonjëherë bëja kifle, nuk kishte tharëm buke, kështu që huazonim nga tanët në diasporë. U rritën çmimet, posaçërisht të mishit”, tha Lubica Stefanovska.
Nuk kishte orë policore, por siç tha teta Lubicë, qytetarët e Çikagos ishin shumë të vetëdijshëm dhe i respektonin rekomandimet e autoriteteve.
“Njerëzit shumë i respektonin rekomandimet, orë policore nuk kishte, por njerëzit i respektonin. Nuk kishte njerëz nëpër rrugë edhe ata që ishin mbanin maska. Nëpër markete nuk lejohej hyrja pa maska”, u shpreh Lubica Stefanovska.
Frika si armik i padukshëm ka qenë i pranishëm te të gjithë.
“Të gjithë ishin të frikësuar, kush nuk do të ishte. Unë kisha shumë frikë për shkak se një test atje është 250 dollar, ndërsa për amerikanët është falas. Unë si e huaj, nëse përfundoja në spital, kushedi sa do të kushtonte”, theksoi Lubica Stefanovska.
Korona virusi e kaploi edhe arsimin, kështu që orët mbaheshin online. Teta Lubicë thotë se jeta në Çikago ka filluar dalëngadalë të normalizohet në ditët e fundit. Kanë filluar të punojnë çerdhet, palestrat, kafenetë, por të gjithë me respektim të rreptë të masave nga ana e institucioneve kompetente. Para disa ditëve më në fund ka arritur të kthehet në vendlindje.
“Shumë e bukur është ndjenja. Mua më mungon kjo jetë pa marrë parasysh si është. Amerika është sfidë për të rinjtë, nëse gjenden. Për ne nuk ka jetë atje, unë duhet të jem në kurriz të vajzës sime”, deklaroi për TV21, Lubica Stefanovska.
Duke bërë krahasim Çikago – Shkup, teta Lubicë vlerëson se këtu njerëz janë më pak të ndërgjegjshëm për virusin.
“Kam motër më të vjetër 70 vjeçe, ajo është e frikësuar dhe nuk del askund. Nëse mjeshtërit që erdhën te unë nuk mbanin maska. Këtu po shoh që nuk besojnë shumë në korona virus, besojnë në rrjet 5G, unë nuk besoj në atë rrjet. Ky virus, nuk e di nga ka ardhur, por megjithatë është virus edhe vdekjeprurës dhe i tmerrshëm”, shtoi Lubica Stefanovska.
Teta Lubicë mban maskë dhe i respekton masat. Të njëjtën gjë ua rekomandon edhe qytetarëve të tjerë.
“Respektoj masat, mbajë maskë në shitore, autobus si dhe në qytet ku ka turmë. Rekomandoj secili të bartë maska, të mbajnë distancë për shkak se virusi ekziston dhe është vdekjeprurës”, theksoi Lubica Stefanovska.
Në Çikago teta Lubicë i ka lënë vajzën, dhëndrin dhe dy nipa. Amerika është vendi me më shumë të infektuar dhe viktima. Numri i të infektuarve arrin shifër milionëshe. Edhe përkundër përpjekjeve të administratës së Trump dhe masat restriktive, numri kurrsesi nuk ulet.
