“Romët për demokraci” kërkojnë siguri në vendvotime / Marsh protestues prej te KShZ-ja deri te MPB-ja

TË FUNDIT

“Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “Stop dhunës”, “Kërkojmë mbrojtje”, ishin thirrjet në marshin protestues të fondacionit “romët për demokraci” që nisi para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe përfundoi te Ministria e Punëve të Brendshme.

Selvije Mustafi Alkan, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit, kërkoi mbrojtje më të madhe dhe forcimin e pranisë së policisë gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 8 majit, duke theksuar se vëzhguesit e tyre në Strumicë gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill janë përballur me disa kërcënime dhe përpjekje për dhunë fizike.

“Protestën e sotme e organizuam me rastin e kërcënimeve të fundit, dhunës politike dhe tentativave për dhunë fizike në Strumicë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale nga struktura të caktuara politike, anëtarë të një partie politike”. është shprehur Selvije Mustafi Alkan.

Murat Josinov, i cili është pjesë e ekipit të Fondacionit, tha se po marshojnë për sigurinë vëzhguese dhe për lirinë e votës së romëve.

“Ne nëse nuk kemi liri në vendvotimet kur vëzhgojmë, kur duam që zgjedhjet të rrjedhin në mënyrë demokratike dhe transparente, përderisa ne nuk kemi siguri në vendvotimet ku do të kemi?!”, tha Murat Jusinov, përfaqësues i Fondacionit “Romët për demokraci”.

Doan Mustafov tha se presionet dhe sulmet kanë ndodhur me hyrjen në vendvotim. Sa herë që kanë dashur të bëjnë vërejtje në qendrën e votimit janë përballur me kërcënime. Kërcënimet tha se janë denoncuar.

“Nuk lejohet që në shekullin 21 të ketë korrupsion, nuk lejohet të ketë blerje votash, nuk lejohet të ketë presione te elektorati, ajo është e garantuar me kushtetutë dhe me akte tjera të drejtësisë”, vlerëson Doan Mustafov, përfaqësues i Fondacionit “Romët për demokraci”.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, para MPB-së u premtoi se do të kenë mbrojtje të plotë policore.