Nuk ka asnjë dyshim se Bashkimi Evropian dëshiron t’ju shohë si anëtare me të drejta të plota, porositi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, në seancën e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, ku temë e diskutimit ishin aspektet kyçe të procesit të integrimit evropian. Ai nuk harroi të rikujtojë se vendi i ka përmbushur me sukses obligimet nga Agjenda e Reformave, por theksoi se anëtarësimi është kyç për zhvillim të përshpejtuar. Megjithatë, ai nënvizoi se është e nevojshme të arrihen rezultate në fushën e sundimit të ligjit.
“Sigurisht, me ndihmën e Delegacionit të Bashkimit Evropian, besojmë se mund t’ju përgatisim me sukses për anëtarësimin tuaj në Bashkimin Evropian. Parakushtet për vendet janë hapja e kapitujve të negociatave, por ato janë gjithashtu shumë të rrepta sa i përket zbatimit të sundimit të ligjit dhe harmonizimit të plotë”, theksoi Mihalis Rokas – Ambasador i BE-së.
Kryetari i Këshillit për Eurointegrime, Venko Filipçe, theksoi gjithashtu se pushteti po ushtron ndikim mbi gjyqësorin, ndërsa tha se pushteti po e pengon me qëllim rrugën evropiane, duke e quajtur këtë një formë të “grushtit të shtetit”.
“Me keqardhje mund të konstatoj se raportet e fundit nga Komisioni Evropian dhe nga të gjithë zyrtarët që vijnë nga Bashkimi Evropian janë të këqija. Ndikimi i kësaj qeverie mbi gjyqësorin, pavarësinë e gjyqësorit, ndikimi i hapur nga instancat më të larta të pushtetit, performanca e dobët në luftën kundër korrupsionit, ndikimi i ‘botës serbe’ dhe, përmes saj, ndikimi i Rusisë në këtë rajon. Shtrohet pyetja nëse ndalimi i qëllimshëm i rrugës evropiane nuk është një formë e grushtit të shtetit?”, u shpreh Venko Filipçe – Kryetar i Këshillit për Eurointegrime.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se Qeveria po punon në pikat kyçe të strategjisë së reformave në pjesën e gjyqësorit.
BEKIM SALI – ZËVENDËSKRYEMINISTËR I PARË DHE MINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Në gjyqësor ekziston Strategjia për Reforma 2024-2028, Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor dhe ndryshimet në Ligjin për Prokurorët Publikë. Por sfidat në gjyqësor janë autonomia, prokuroria, kapacitetet kadrovike dhe financiare, si dhe rreziqet nga politizimi.”
Ndryshe, në Qeveri sot u mbajt një takim kushtuar Agjendës së Reformave, në të cilin, siç informojnë autoritetet, u shqyrtuan përparimi i deritanishëm, aktivitetet në vijim dhe hapat e ardhshëm për përmbushjen me kohë të obligimeve të parapara.
