Rokada e Dimitrovit dhe Osmanit, fillimi i negociatave në dhjetor, nuk pritet bllokim nga Bullgaria

TË FUNDIT

Në qindra metra largësi, në hyrje të ish zyrave dhe atyre aktuale, u krye rokada e funksioneve edhe mes Zv.kryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe Ministrit për punë të jashtme, Bujar Osmani. Që të dy porositën se edhe më tej mbeten në angazhimin e tyre për negociata të suksesshme dhe anëtarësim të vendit në BE.

“Në festën tonë shtetërore, 8 shtatori, në Bruksel për herë të parë, mes vendeve anëtare hapet debat rreth versionit të kornizës negocuese që do të prezantojë kryesimi gjerman. Mendoj se pritshmëritë dhe plani i kryesimit gjerman është Konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet në dhjetor të këtij vitit”, tha Nikolla Dimitrov, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Osmani pasi që dje në ditën e parë në postin Ministër për punë të jashtme kishte bisedë telefonike me Filip Riker, tha se mes prioriteteve do të jenë sa më shpejtë të realizohet kontakt me Athinën dhe Sofjen zyrtareqë të debllokohen proceset e komisioneve ndërshtetërore.

 “Maqedoni me perspektivë, stabile dhe Evropiane është parakushti për rajon stabil, perspektiv dhe evropian, ndërsa kjo është në interes të gjithë vendeve të rajonit, duke përfshirë edhe Bullgarinë. Kështu që nuk shoh interes të asnjë vendi në rajon, e as Bullgaria të pengojë rrugën evropiane të RMV dhe ata këtë e dëshmuan që në Këshillin në mars kur edhe përkundër vërejtjes unilaterale, megjithatë dhanë miratim për vendimin për fillimin e negociatave”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.

Në fund të konferencës së përbashkët për media, Dimitrov dhe Osmani i këmbyen flamujt e BE me çka porositën se edhe pse i kanë ndryshuar funksionet, që të dy kanë të njëjtin qëllim – integrimet evropiane.