Robin Krasniqi pasi humbi titullin: Unë nuk mposhtem

TË FUNDIT

Boksieri kosovar, Robin Haxhi Krasniqi të shtunën e kaluar humbi ndeshjen kundër, Dominic Boesel për ta mbrojtur titullin e IBO, ku kjo ishte përballja e dytë mes boksierit kosovar dhe atij gjerman.

Pas 12 raundeve të zhvilluara me një dominim të qartë nga Krasniqi, pas vendimit të gjyqtarëve Dominic Boesel arriti t’ia marrë nga duart titullin e kampionit Krasniqit, vendim ky që për shumë shikues nuk ishte korrekt.

“Në karrierën time të gjatë si boksier profesionist, kam përjetuar dëshpërime, por deri tani dëshpërimin më të madh në jetë e përjetova të shtunën e kaluar, ku nga vendimi i gjyqtarëve, në mënyrë ilegale e shpallën kundërshtarin tim Dominic Bosel fitues. Ky nuk është vetëm opinioni im ose i ekipit tim, por gjithashtu opinioni i më shumë se gjysmës së shikuesve në sallë, opinioni i miliona shikuesve të televizioneve, opinioni i shumë kolegëve dhe trajnerëve dhe opinioni i shumë ekspertëve dhe gazetarëve të ndryshëm në Evropë “, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Po ashtu, boksieri kosovar fajësoi edhe gjyqtarin i cili ishte brenda ringut, duke treguar se shumica e vendimeve të tij ishin në krahun e Boesel.

“Përveç rezultatit skandaloz të gjyqtarëve, ishte edhe një gjyqtar jo i ndërgjegjshëm brenda ringut, i cili lejoi shumë grushte ilegale, prapa kokës dhe me pjesën e bërrylit, nga ana e kundërshtarit tim pa i hequr ndonjë pikë. Këto janë disa nga faktet që tregojnë që vendimet e gjyqtarëve jashtë ringut dhe atij brenda ringut nuk kanë qenë të drejtë ose neutrale dhe ky lloj nuk duhet të lejohet në sportin tonë. Unë nuk mund të mposhtem kaq lehtë. Do të luftoj për të drejtën time deri në fund edhe nëse fundi është i hidhur, siç bëra në ring, prandaj do ta bëj jashtë ringut! Veçse kam bërë një hap drejtë protestës drejtë organeve kompetente.”, tha Krasniqi tutje.

I njëjti është optimist se do të marrë një përgjigje pozitive./21Media

MARKETING I PAGUAR POLITIK