Republika e Maqedonisë të Veriut po kryeson me Marrëveshjen e Evropës Qendrore të Tregtisë së Lirë – CEFTA. Kryesimi vjen në momentin e fillimit të zbatimit të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili u miratua në Sofje në nëntor të vitit 2020.
Për këtë folën sot Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir.
Bekteshi tha se prioritet i kryesimit tonë do të jenë qarkullimi i lirë i mallrave, tregtia e lirë e shërbimeve, mënjanimi i pengesave për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, protokolli plotësues 7 për zgjidhjen e kontesteve, si dhe zhvillimi institucional i strukturave të CEFTA-s.
Ambasadori i BE-së tha se kryesimi i Maqedonisë së Veriut me CEFTA-në ofron një mundësi për përparim të rëndësishëm në shumë fusha.
“Shtylla kryesore e kryesimit tonë është tregtia. Kjo shtyllë ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit të lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve mes vendeve të CEFTA-së në mënyrë që të mundësohet prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët”, tha ministri Bekteshi.
“Plani Ekonomik i Investimeve dhe CEFTA-së ndajnë një qëllim të përbashkët: të integrojnë më mirë vendet e Ballkanit Perëndimor ekonomikisht, në mes tyre dhe me BE-në. Plani gjithashtu vendos një theks të fortë në ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal si një mënyrë për të rritur aftësinë konkurruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ambasadori Gir.