Komisioni për Sëmundje Ngjitëse i ka propozuar Qeverisë që me disa shtete të rajonit të rikthehet masa për test PCR gjatë hyrjes në Maqedoni të Veriut.
“Komisioni i ka propozuar Qeverisë që nesër gjatë hyrjes në vendin tonë të gjithë qytetarëve nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, që detyrimisht të dorëzojnë test PCR, jo më të vjetër se 72 orë. Propozimi i Komisionit vjen pas rishikimit të gjendjes aktuale epidemiologjike në shtete e përmendura dhe në bazë të informacioneve të marra nga autoritetet shëndetësore të këtyre vendeve”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Qeveria do të sjellë vendim sa më shpejtë që mundet, thotë kryeministri teknik Oliver Spasovski.
“Po sot kemi propozim të tillë nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, do ta rishikojmë sa më shpejtë të mundemi dhe në bazë të saj do të sjellim vendim”, u shpreh kryeministri teknik, Oliver Spasovski.
Vendimi me shumë gjasa nuk do të merret sot. Koordinatori kryesor i shtabeve të krizës, Bujar Osmani, tregon për TV21 se propozimi nesër do të diskutohet në Shtabin e krizës, e më pas në Qeveri.
“Do të presim nesër propozimin e Komisionit dhe të shohim se me çfarë argumentesh e mbështet propozimin. Parimisht ne respektojmë mendimin e ekspertëve por do të duhet t’i shohim argumentet”, theksoi Bujar Osmani, Koordinator kryesor i shtabeve të krizës.
Propozimi për dëshmi të testit negativ PCR, vlen vetëm për shtetasit e Kosovës, Serbisë, Bosnjes dhe Malit të Zi, por jo për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Këtë për TV21 e konfirmon Kryetari i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhovski, i cili përmes telefonit na tha se shtetasit e Maqedonisë lirshëm do të mund të shkojnë dhe kthehen prej këtyre shteteve, pas pasur nevojë për test PCR.
