Rikthim politik i Dimitrovit: “Së shpejti do të shpalos në çfarë forme do të veproj”

TË FUNDIT

Para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, po arrijnë paralajmërime për formimin e subjekteve të reja politike. Pasi që kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, formoi lëvizje qytetare “Për qytetarët tanë”, paralajmërim për rikthim politik arriti edhe nga ish shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov. Edhe pse nuk ka qenë anëtarë i VMRO-DPMNE-së e as LSDM, në intervistë për TV21, thotë se vazhdimisht ka qenë aktiv në skenën politike.

“Kam punuar pothuajse me të gjithë dhe me të gjithë nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët. Mendoj se kjo është e shëndetshme për shkak se kur beson njeriu se kanë kapur teposhtën dhe nuk po shkon në rrugën e duhur, më e shëndetshme është që të besojë në bindjet dhe ndërgjegjen e vet sesa të thotë që gomari fluturon. Për shkak se nga brohoritja gomari fluturon, gomari fluturon, arritëm në këtë gjendje”, tha Nikolla Dimitrov.

Megjithatë Dimitrov tani për tani nuk tregon nëse do të formohet parti ose lëvizje, e as drejtimi i këtij subjekti. Tha se ka për qëllim që ta ndryshojë sistemin.

“Unë në të ardhmen e afërt do t’i shpjegoj opinionit publik në çfarë formë do të veproj. Të shohim se sa qytetarë ka që mendojnë se punët nuk janë të mira, sa qytetarë ka që duan që në këtë shtet të ketë rend dhe sa qytetarë e duan ligjin, sistemin që do të vlejë për të gjithë territorin dhe i njëjti të jetë i barabartë për çdo qytetar”, pohoi Nikolla Dimitrov.

Pyetëm pjesë të partive politike për qëndrimin e tyre në lidhje me paralajmërimin se do të formohet subjekt i ri politik, por nuk deshën të komentonin. Nga VMOR-DPMNE pa koment, ndërsa nga LSDM shkurt thanë:

“Kjo është e drejta demokratike e çdo individ dhe grupi”, thonë nga LSDM.

Nëse, siç thotë Dimitovi, subjektin politik e formon së shpejti, atëherë pritshmëritë janë se në zgjedhje vitin e ardhshëm mund t’i tërheqë votat e qytetarëve. Analisti politik Xhelal Neziri vlerëson se ka hapësirë për subjekt të ri politik siç ishte rasti në vendet e rajonit, ku parti të sapokrijuara fituan në zgjedhjet. Sipas tij, subjekti politik i Dimitrovit nuk do ta synojë as elektoratin e LSDM-së e as të VMRO-DPMNE-së.

“Nuk besoj se lëvizjes së re politike i duhen votat e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ose të partive të tjera për shkak se dihet se te ne votuesit në nivele të ndryshme janë të lidhur me partitë politike, jo vetëm në aspekt ideologjik. Mendoj se në shënjestër do të jenë qytetarët e papërcaktuar. Anketat e fundit tregojnë se numri i tyre është mbi 40% që përfaqëson një numër të madh të votuesve”, deklaroi Xhelal Neziri, analist politik.

Dimitrov në qeverinë e Zoran Zaevit ishte ministër i jashtëm ndërsa pas zgjedhjeve në 2020 u bë zv/kryeministër për çështje europiane. Mbeti pa funksion në janar të vitit të kaluar në qeverinë që e formoi kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.