Rikthehet ujësjellësi në Haraçinë. Pompat e djegura u rregulluan me ndihmën e një komune turke

TË FUNDIT

“Sot në Haraçinë u lëshua ujësjellësi. Në fakt edhe më herët në Haraçinë ka pasur ujësjellës, por për shkak të kyçjeve ilegale ishin djegur pompat dhe tani kryetari aktual Ridvan Ibrahimi sërish ka arritur ta rikthejë ujin nëpër çezmat e qytetarëve me një ndihmë nga ana e Turqisë. Ai apeloi që qytetarët të mos e keqpërdorin ujin, që të mos ketë ndërprerje sërish”, raportoi gazetari Artan Nuhiu.

“Periudha e fundit, ku 4 vitet e fundit asnjë pikë ujë nuk rrodhi në shtëpitë tona ishte tek pompat dhe elektrika, ishte një problem shumë i madh dhe i papërballueshme financiarisht për komunën tonë, por falë dashamirësisë dhe sinqeritetit që kryetari i komunës Denis Kyken, komunës Ejupsulltanit të Stambollit prej vizitës së parë që e kisha me të, ma dha premtimin se këtë do ta merr për obligim ta rregullojë një ditë e më parë, sot jemi dëshmitar të asaj dite”, tha Ridvan Ibrahimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Po pse u desh që të pritet ndihmë nga Turqia, në vend që çështja e ujit në Haraçinë të zgjidhej nga qeveria e vendit? Për këtë e pyetëm zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi.

“Pyetje shumë interesante të të them të drejtën. Siç e shihni, të përditshme janë bashkëpunimet e komunave tona me komunat e tjera, e jo vetëm të komunave por edhe të shtetit sepse kemi donacione nga SHBA, nga Franca, Gjermania, nga çdo vend i BE-së, po aq ka donacione edhe nga Republika e Turqisë për komunat dhe institucionet tona dhe këto janë bashkëpunime bilaterale të cilat i bën o shteti, o komuna, dhe ndihmojnë njëra-tjetrën në projekte që janë në interes të qytetarëve”, tha zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Zëvendëskryeministri i pare, kryetari i komunës dhe përfaqësues të delegacionit nga Turqia vizituan edhe varrezat e dëshmorëve në Haraçinë.