Blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” është kthyer në punë mëngjesin e së dielës, njoftoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti tha se me futjen në punë të këtij blloku, që kishte dalë jashtë funksionit dhjetorin e vitit të kaluar, Kosova do të paguajë për çdo orë 50 mijë euro më pak për importin e energjisë elektrike.
“Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1.2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Blloku B2 ka kapacitet që të gjenerojë 245 megavatë në orë energji elektrike.
Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Kurti tha se vetëm gjatë të shtunës, më 22 janar, 1 megavat ka kushtuar rreth 200 euro.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
