Edhe një rast pozitiv me koronavirus në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ismail Jahoski me simptome është dërguar në Klinikën Infektive në Shkup.
Rastin e kanë konfimuar nga Kuvendi, por nuk tregojnë se a ka deputetë të tjerë që do të qëndrojnë në izolim për shkak të kontaktit me Jahoskin dhe a pritet ndryshim në mënyrën e realizimit të seancave plenare. Nga institucioni më i lartë ligjvënës kanë apeluar te deputetët t’u përmbahen masave për mbrojtje nga koronavirusi.
“Apelojmë te të gjithë deputetët tjerë, tu përmbahen masave të mbrojtjes së shëndetit kolektiv edhe në kushte shtëpiake, sidomos në kontaktet me më të afërmit”, thonë nga Kuvendi.
Seancat plenare dhe ato të komisioneve zhvillohen me prani fizike, por deputetët mbajnë maska dhe ruajnë distancën. Kohë më parë u plasua ideja për digjitalizim të Kuvendit, çfarë nënkupton që seancat të zhvillohen online. Por këtë ide e kundërshtuan edhe sot nga opozitarja VMRO-DPMNE.
“Edhe njëherë të theksoj, ne jemi kundër asaj mënyre të punës së Kuvendit, për shkak se është anti kushtetuese”, u shpreh Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
I pyetur se ku mbeti ideja e digjitalizimit të Kuvendit, kryeparlamentari ditë më parë tha se kjo për momentin është e parealizueshme, pasi që mjetet që ishin paraparë për këtë qëllim, ishin shkurtuar me rebalancin e buxhetit. Thotë se Kuvendi do të punojë sipas protokolleve aktuale.
“Janë çështje shëndetësore për të cilat nuk guxojmë të bëjmë veprime jashtë asaj çfarë janë rregulla, se çdo pasojë e mundshme shëndetësore, e cilitdo të përfshirë këtu”, deklaroi Talat Xhaferi – Kkryetar i Kuvendit.
Kohë më parë pozitiv me korona rezultoi edhe deputeti Arben Ziberi, i cili përbërjen e Qeverisë së re e votoi nga dhoma e izoluar në Kuvend.
Kuvendet online nuk janë ndonjë risi, pasi një gjë të tillë janë duke e zbatuar Spanja, Italia, Gjermania, Rumania, Polonia dhe Franca.