Riker: BE-ja nuk duhet të lejojë që mospajtimet bilaterale ta ndërpresin përparimin e merituar të Maqedonisë së Veriut në integrime

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që mospajtimet bilaterale ta ndërpresin përparimin e merituar të Maqedonisë së Veriut në integrime, deklaroi ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi dhe ish-ambasador amerikan në vendin tonë, Filip Riker, në fjalimin e tij në forumin onllajn “Të jesh i sigurt” në organizim të Lidhjes atlantike të Malit të Zi.

Maqedonia e Veriut, theksoi ai, përmbushi dhe duhet t’i lejohet të përparojë në eurointegrime.

“Ky është moment i rëndësishëm për BE-në. Gjithsesi ne e nxisim Bullgarinë t’i zgjidhë çështjet bilaterale me Maqedoninë e Veriut jashtë procesit inkuadrues, përderisa njëkohësisht do të lejojë që mbledhja e parë ndërqeveritare të mbahet këtë vit. Shkupi akoma më shumë e meriton atë mundësi dhe duhet të vazhdojë të lëviz përpara, deklaroi Riker.

Vendimi nga marsi për hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, theksoi Riker, ishte konfirmim për tërë rajonin se puna e mundimshme dhe përkushtimi hapë dyer.

“Gjithsesi i hodhi poshtë edhe pohimet e rrejshme nga kundërshtarët tanë gjeostrategjikë se Ballkanit Perëndimor asnjëherë nuk do t’i lejohet hyrja në Familjen euroatlantike. Dëshmuam se kjo nuk është e saktë, pamë përparim në NATO dhe BE. Nëntë muaj më vonë nga ai vendim kyç, shtyrja e përmbushjes së hapave të premtuar për hapje të negociatave me BE-në rrezikon, sërish të ringjallet çështja për kredibilitetin e BE-së në rajon”, theksoi Riker.

Shpresoj, shtoi Riker, se ato çështje do të tejkalohen dhe se nuk do të lejohet hapësirë më e madhe e aktorëve të jashtëm me qëllime të këqija.

“BE-ja dhe posaçërisht Ballkani Perëndimor pa dyshim janë qendra e garës gjeostrategjike. Moska, siç e dini, në mënyrë aktive i kundërshton integrimet perëndimore. SHBA-ja dhe BE-ja, nga ana tjetër duhet të mbeten të fuqishme në atë se për interesin tonë të përbashkët më mirë është forcimi i vlerave demokratike, sundimi i së drejtës dhe bashkëpunimi i bazuar në vlera të përbashkëta dhe ardhmëri”, deklaroi Riker.

Përderisa Rusia punon në kaos politik, theksoi Riker, Kina nga na tjetër e blen lojalitetin e rajonit përmes investimeve dhe kredive strategjike.

I pyetur për veton bullgare dhe çka konsideron se mund të bëhet për zgjidhjen e saj, Riker tha se edhe pse SHBA-ja nuk është anëtare e BE-së, dhe nuk ka të drejtë vote, megjithatë ka të drejtë qëndrimi.

“Prandaj besojmë se BE-ja nuk duhet të lejojë që mospajtimet bilaterale ta ndërpresin përparimin e merituar në eurointegrimet e vendeve. Besojmë se këto çështje duhet të zgjidhen jashtë procesit të negociatave inkuadruese. Konsiderojmë se Shkupi meriton të ecë përpara. Do të vazhdojmë me shpresë të shohim lëvizje pozitive në atë drejtim”, porositi Riker.