Ribalanci i buxhetit para deputetëve! Koçovska e mbron, opozita akuzon për dështim të planifikimit

TË FUNDIT

Ribalanci i propozuar i buxhetit siguron përshpejtim shtesë të investimeve kapitale, mbështetje për bujqësinë, komunat dhe prioritetet zhvillimore të Qeverisë.
Këtë e theksoi në arsyetimin e saj ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçovska, e cila tha se ndryshimet janë të orientuara drejt vazhdimit të politikave për stabilitet ekonomik dhe zhvillim.

“Këto ndryshime dhe plotësime i miratojmë në kushte të pasigurisë së theksuar globale. Zhvillimet gjeopolitike vazhdojnë të ndikojnë në ekonominë botërore, ndërsa efektet e tyre ndihen edhe në rrjedhat ekonomike vendore dhe në realizimin e buxhetit për vitin 2026. Për këtë arsye, me ndryshimet e propozuara harmonizojmë supozimet makroekonomike dhe projeksionet fiskale, para së gjithash në anën e shpenzimeve të buxhetit. Qëllimi është të sigurojmë realizimin e plotë të prioriteteve strategjike dhe përcaktimeve programore deri në fund të vitit”, tha Gordana Dimitrieska-Koçovska

Nga LSDM pati kritika ndaj ribalancit të buxhetit. Sipas Fatmir Bytyqit, kjo dëshmon se projekti fillestar i buxhetit për këtë vit ka qenë i gabuar.

“Më 23 korrik, të ardhurat arrinin në 195 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 234.4 miliardë denarë. Diferenca është 39.4 miliardë denarë deficit. Kjo do të thotë se tashmë është tejkaluar e gjithë korniza vjetore e planifikuar fillimisht për deficitin. Nga premtimi fillestar për deficit prej 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto ka mbetur vetëm një kujtim politik”, tha Fatmir Bytyqi.

Planifikimi i gabuar buxhetor do të shkaktojë pasoja afatgjata në ekonomi, vlerësoi Elmi Aziri nga Lidhja Shqiptare.

“Deficiti fiskal i planifikuar në buxhetin fillestar është shpenzuar në gjashtë muajt e parë të vitit, që është shembull shkollor i dështimit në planifikim. Ndërsa me rishikimin e buxhetit ai do të rritet nga 3.5 në 4.1 për qind të BPV-së. Deficiti prej 46.264 milionë denarësh paraqet rritje prej 7.25 milionë denarësh ose 17.9 për qind”, deklaroi Elmi Aziri

“Pse na bindnit se buxheti i projektuar është i mirë dhe se ekonomia po ecën në drejtimin e duhur?”, pyeti Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët.

“Ky ribalanc është momenti kur propaganda përballet me realitetin. Me muaj dëgjuam premtime për rritje ekonomike, investime historike, standard më të mirë jetese dhe një fillim të ri. Por sot, vetë Qeveria përmes këtij dokumenti pranon se llogaritjet nuk dolën ashtu siç ishin planifikuar. Në vend të rezultateve konkrete, vazhdojmë të dëgjojmë justifikime”, u shpreh Halil Snopçe.

Qeveria javën e kaluar miratoi ribalancin e plotësuar të Buxhetit, me amendamentet e pranuara nga Komisioni për Financim dhe Buxhet. Debati për korrigjimin e arkës shtetërore, sipas Rregullores së Kuvendit, mund të zgjasë pesë ditë.