Ribalanci i buxhetit para deputetëve, Besimi pret debat konstruktiv

TË FUNDIT

Ribalanci i buxhetit duhet të gjendet para deputetëve në Kuvend, ndërsa njeriu i parë i financave, Besimi, thotë se pret debat konstruktiv. Në mbrojtje të ribalancit, Besimi thotë se ka për qëllim përforcimin e investimeve, mbështetjes ekonomike por edhe rikuperimit nga Kovid kriza.
Ministri i financave thotë se arsyet për Ribalanc të buxhetit nuk janë vetëm të dala më të larta, por edhe të ardhura më të larta.

“Ne kemi 46,2 miliardë denarë me ribalancin, deficit i cili në fakt është më i lartë në krahasim me atë të planifikuarin gjatë këtij viti, 35 miliardë denarë, por megjithatë është më i ulët se sa ishte gjatë vitit 2020, përkatësisht nga 4,9 në 6,5 përqind nga BPV do të jetë deficiti dhe kryesisht financohet në mënyrë të barabartë nga tregjet e huaja dhe tregu i vendit. Ne tashmë në tregun e huaj kemi marrë hua me euro-bond ku arritëm të kemi një nga normat më të ulëta të interesit, 1,6-2,5% dhe pjesa e mbetur do të jetë nga tregu vendor, megjithatë kthejmë edhe 500 milion euro-bond nga paraprakisht, që është me normë interesi prej mbi 4%”, tha Besimi.

Me strategjinë fiskale planifikohen edhe instrumente të reja për financim, siç janë bond zhvillimorë dhe i gjelbër.

“Dallimi nga periudha e deritanishme, mjetet nga këto bonde/ letra me vlerë do të shfrytëzohen vetëm për investime kapitale, ndërsa bondi i gjelbër vetëm për projekte që do të jenë mbështetje për zhvillimin e gjelbër, përkatësisht agjendës së gjelbër”, shtoi më tej ai.

Në Buxhet me ribalancin parashihet edhe programi i ri për zhvillim të gjelbër në nivel të Qeverisë ku ka edhe masa shtesë. Debati për Ribalancin e Buxhetit në Kuvend do të fillojë nga 1 korriku për kur është caktuar edhe seanca në Komisionin amë për financim dhe buxhet.